Fatmir Sejdiu dhe të pakënaqurit e tjerë me listë të veçantë për zgjedhjet e përgjithshme
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e përmbylli të shtunën procesin e brendshëm zgjedhor, duke e rizgjedhur me aklamacion në postin e kryetarit Isa Mustafën. E kjo bëri që në Kuvendin e nëntë zgjedhor të LDK-së të shfaqen disa pakënaqësi, të cilat vetëm një ditë pas duket se po thellohen dhe do të çojnë drejt një çarje të re në LDK, e që mund t’i kushtojë kësaj partie në zgjedhjet e përgjithshme që pritet të mbahen së shpejti në Kosovë.
Në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës edhe për katër vjet do të jetë Isa Mustafa. Kjo u zyrtarizua të shtunën në Kuvendin e nëntë zgjedhor të kësaj partie, ku Mustafa mori besimin e shumicës së delegatëve pjesëmarrës.
Edhe pse u shfaqën pakënaqësi dhe disa delegatë lëshuan punimet e Kuvendit të nëntë zgjedhor, Mustafa pas rizgjedhjes në krye të partisë nga një proces që zgjati rreth dy orë me dyer të mbyllura, tha se ka qenë një proces demokratik dhe i hapur duke ofruar mundësinë për të gjithë që të garojnë.
Por postin e të parit të LDK-së e synoi edhe Fatmir Sejdiu, i cili dikur udhëhoqi me këtë parti ku edhe mbajti postin e presidentit të Kosovës.
Edhe pse Sejdiu në Kuvendin zgjedhor të LDK-së, kërkoi që mos të ketë 50+1 për qind të nënshkrimeve për t’u bërë pjesë e garës, kjo nuk u realiuzua dhe ai u eliminua nga gara.
E në fjalën e tij para delegatëve, Sejdiu është shprehur se LDK nuk mund të ecën përpara në këtë mënyrë, ndërsa më pas lëshoi punimet e Kuvendit të nëntë zgjedhor.
“Unë them se me këtë mënyrë të punës, me këto ngecje, me këtë mënyrë të mungesës së guximit të njerëzve që nuk kanë mundësi për fjalën e lirë, unë nuk i mbështes. Këtë e kemi një shenjë të keqe. Kam provuar ditëve të fundit që të kem kontakte me kryetarin e partisë, nënkryetarët rreth çështjes për kryetarin koncensual. Unë kam tentuar që të kem përgjigje, por nuk e kam marrë një të tillë”, ka deklaruar Sejdiu.
Pakënaqësi me procesin zgjedhor në parti shprehën edhe Melihate Tërmkolli dhe disa delegatë të tjerë.
Termkolli tha se beson që ka pasur kushtëzime për rizgjedhjen e kryetarit të ri të partisë.
“Kjo u pa qartë, edhe Fatmir Sejdiut e ndoshta edhe dikujt tjetër që ka pasur dëshirë të kandidojë, iu është mohuar, kjo është një metodë që e kanë përdorur shërbimet e fshehta, kam frikë që i kanë frikësuar edhe delegatët”, tha Termkolli.
E vetëm një ditë pas, duket se pakënaqësitë po thellohen dhe do të çojnë drejt një çarje të re në LDK, e që mund t’i kushtojë kësaj partie në zgjedhjet e përgjithshme që pritet të mbahen së shpejti në Kosovë.
Siç merr vesh Agjencia e Lajmeve FaktePlus nga një burim i afërt me ish presidentin Fatmir Sejdiu, ky i fundit së bashku me disa nga të pakënaqurit e LDK-së, kanë nisur angazhimet për të formuar një listë të përbashkët për të hyrë në zgjedhjet nacionale.
FaktePlus ka tentuar të kontaktojë me ish kryetarin e LDK-së, Fatmir Sejdiun dhe të tjerët, por gjatë ditës ata nuk kanë qenë të qasshëm.
Kujtojmë se Lidhja Demokratike e Kosovës, ka nisur muaj më parë procesin e brendshëm zgjedhor, për t’i zgjedhur organet e reja drejtuese për mandatin katër vjeçar.
Por, jo të gjitha kuvendet zgjedhore nëpër degë kaluan ashtu siç u parashikua, pa eksese. Mande, në disa kuvende zgjedhore delegatët përdoren grushtet për t’i qëruar hesapet mes veti, për shkak të mospajtimeve lidhur me procesin zgjedhor.
Sidoqoftë, tani LDK ka të rikonfirmnuar për kryetar Isa Mustafën, pasi ai me votim të hapur mori shumicën e votave nga delegatët e Kuvendit të IX zgjedhor. LDK ditët në vijim do të zgjedh edhe organet tjera drejtuese, si Kryesinë e nënkryetarët e partisë./FaktePlus