Fatmir Limaj për kundërkandidatët: Patën mungesë të guximit për t’u ballafaquar në debate
Kandidati për Kryeministër të Kosovës nga radhët Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj, ka thënë se mospranimi i kundërkandidatëve të tij për tu ballafaquar në debat që të gjithë, është mungesë e guximit intelektual, njofton Klan Kosova.
”Sot e përfunduam fushatën në Prizren, kryeqendrën tonë kulturore historike. Por po më mbet merak që salla do duhej të ishte nga pesë kandidatët këtu, e jo një nga një këtu”.
”Më vjen keq që kundër kandidatët e mi nuk patën guximin intelektual të dalin e të ballafaqohen. Ajo që mund të them është se nga ta është mungesë e guximit intelektual për tu ballafaquar”.
”Në rrethana normale kandidatët që nuk janë të gatshëm të ballafaqohen në debat, nuk janë të gatshëm të drejtojnë edhe vendin”.
”Kjo tregon më së miri që ne ende nuk jemi aty ku dëshirojmë. E që duhet të jetë sot me dalë kandidat për kryeministër e mos me dal me u ballafaqu, tregon më së miri që ata kandidat nuk janë të përgatitur e s’janë të gatshëm për tu ballafaquar”.
”Marrja e përgjegjësisë shtetërore është përgjegjësi e madhe. Duhet përvojë, e mbi të gjitha përvojë në vendimmarrje. Disa të tjerë e kanë provuar dhe janë lodhur”.
Limaj në Zonën Zgjedhore tha se kandidatët që nuk pranuan të ballafaqohen në debate nuk janë të gatshëm për ta drejtuar vendin ndërsa shtoi se ata po shfrytëzojnë dhimbjen e qytetarit, njofton Klan Kosova.
”Ajo që e kemi parë këto ditë është se kandidatët po e shfrytëzojnë dhimbjen e qytetarit, plagën e qytetarit, jo për t’i zgjidhur por për t’ua hapur këto plagë”.
”Nëse përcjell të gjitha fushatat elektorale, fjalimet e tyre, që vazhdimisht kanë konstatuar gjendjen e një vendi por s’kam dëgjuar asnjërin të ofrojë zgjidhje për problemin e qytetarëve”.
”Sot s’ka më problem se me ua kujtuar telashet në të cilat janë njerëzit. Kosova ka plagë, Kosovanuk ka nevojë për drejtues që ua hapë plagët, por ka nevojë për t’ju shëruar ato”.
”Një pjesë e madhe të njerëzve të Kosovës jetën time e kanë kapur mes dhimbjes që ka kaluar unë dhe familja ime. Asnjëherë s’kam pasur rast të flas për veten time në atë çka kam kaluar, derisa të tjerët nuk janë kursyer dhe s’kursehen as sot – derisa na kanë lodhur”.
”Duam të shohin dallime mes distancash mes sakrificës për popullin. Unë jam marrë me beteja pas luftës. Më është dasht të përçoj tek qytetarët se jam njeri i tokës, prej këtij vendi – kam krijuar familjen time, kam vëllëzërit dhe motrat e mia as s’më dallon asgjë nga qytetarët e mi”.
”Unë s’kam ardhur nga qielli siç po dëgjoj disa. Krejt çka ka sot Kosova është nga një përpjekje e vazhdueshme e baballarëve tanë. Transmetimi i kësaj është se ne jemi njerëz të thjeshtë të këtij vendi”.