Fansi rus i McDonald’s 270kg, proteston në Moskë kundër mbylljes së rrjetit të fast food’it amerikan: Akt armiqësor ndaj meje
Fansi rus i zemëruar i McDonald’s tha se mbyllja e këtij rrjeti të fast food’it amerikan në Rusi shkaku i luftës në Ukrainë, ishte një akt armiqësie kundër tij dhe bashkëqytetarëve të tij.
Që kur McDonald’s njoftoi vendimin e tij për të mbyllur të gjitha operacionet dhe pikat e shitjes në Rusi, fansat e këtij ushqimi kanë reaguar në forma të ndryshme kundërshtimi. Radhë të gjata u vunë re jashtë zinxhirit të fast food, ku videot treguan vetura në radhë në kryeqytetin rus, dhe fotot që shfaqnin klientët në rrugët me dëborë duke pritur për të ngrënë një vakt të fundit para se McDonald’s të mbyllte dyqanet për kohë të pacaktuar.
Luka Safronov, një fans rus i McDonald’s, i cili thuhet se peshon 270 kg, u shpreh i dëshpëruar që më nuk do të mund të hante ushqimin e tij të preferuar. Ai u pa duke organizuar protestën e tij disa orë para se McDonald’s t’i mbyllte dyqanet e tij.
“Mbyllja është një akt armiqësor kundër meje dhe bashkëqytetarëve të mi!”, tha ai.
31-vjeçari, i cili thuhet se është djali i artistit rus Nikas Safronov, e lidhi vetën me zinxhir në derën e McDonald’s dhe protestoi kundër vendimit për të ndërprerë veprimtarinë në Rusi. Konsumatorët mund të shihen duke kaluar aty pranë, ndërsa të tjerët qeshin me shfaqjen e tij të protestës. Ndërkohë, policia iu afrua Safronovit, i hoqi zinxhirin dhe e largoi nga aty.
“Unë, Luka Safronov-Zatravkin, një pianist, dua të deklaroj shkeljen e të drejtave të mia ndërkombëtare, lirinë e vetë-shprehjes, si dhe gjenocidin mbi anëtarësimin social-kulturor. Unë kam lindur më 31 tetor 1990 – vetëm 9 muaj pas hapjes së dyqanit të parë të McDonald’s në Rusi. Kjo rastësi ka të ngjarë të ketë pasur ndikim në jetën time të mëtejshme. Së bashku me mua erdhën në jetën time lloje të ndryshme të lirive. Liria e zgjedhjes, liria e lëvizjes, liria e shfaqjes së vlerave të mia”.
“Duke promovuar kudo filozofinë e tyre të tolerancës dhe demokracisë, amerikanët na dhanë idenë e të menduarit të lirë dhe të pavarur. Kuptuam se është e mundur të jesh ndryshe nga të tjerët – dhe të mos kesh turp për këtë, të mos ndëshkohesh për këtë. Por çfarë po ndodh në ditet tona? Bllokimi i lirisë sonë kudo, liri të cilat janë bërë pjesë e pandashme e jetes sonë. Kam qenë gjithnjë njeri i lirë. Nuk mund ta kuptoj çfarë faji kam unë të ndëshkohem në këtë mënyrë dhe të detyrohem të bëjë çfarë nuk dua. Pse ne qytetarët e thjeshtë paqësorë të ndryshojmë mënyrën tonë të zakonshme të jetës të detyruar nga politikanë nga vende jomiqësore”, shkroi ai.
“Ato vlera që unë i kam i kam marrë gjithmonë nga bota lidhen gjithashtu me pozitivitetin e trupit. Unë supozoj se çdo person ka të drejtën e zgjedhjes – mënyrën e sjelljes në këtë botë nëse ajo nuk cenon lirinë e njerëzve të tjerë, pavarësisht nga ngjyra, forma e syve dhe pesha e tyre. Pesha ime është më shumë se 270 kg. Është zgjedhja ime, mjeti im i vetëvlerësimit dhe lirisë, parimet dhe idetë e mia, të cilat i ndaj me të gjithë njerëzimin”.
“Por unë, një qytetar i thjeshtë paqësor u privova nga kjo. Tani nuk mund të kem ushqimin që kam ngrënë gjatë gjithë jetës sime. Nuk mund të udhëtoj dhe të shoh botën. Jam i privuar nga ato teknologji që janë zhvilluar edhe falë bashkatdhetarëve të mi. Edhe kafshët tona duhet të vuajnë sepse kanë ngrënë të njëjtin ushqim gjatë gjithë jetës së tyre. Tani ne jemi të privuar nga vetë idetë e demokracisë dhe vlerat e të drejtave të njeriut, duke demonstruar se liritë janë trillime.”
“Është një gjenocid i vërtetë ndaj njerëzve të thjeshtë, sepse së bashku me ndalimet shkatërrohen të gjitha postulatet tona morale dhe shoqërore. Tani unë deklaroj me përgjegjësi të plotë se ndalimi për ato marka me të cilat është e lidhur jeta e popullit rus është ekonomik dhe fizik. E kam fjalën për McDonald’s sepse ky rrjetë i restoranteve është bërë gllënjka e parë e ajrit të pastër në vitin e largët 1990”.
“Dhe tani hamburgerët nga McDonald’s po bëhen simbol i shkeljes së lirisë. Para së gjithash në emër të SHBA-ve – vetë shtetit që shpall se mbron të drejtat e njeriut për çdo person në mbarë botën. Ky manifestim është protesta ime paqësore kundër fyerjes së dinjitetit tim, kundër shkeljes së lirive të mia. U drejtohem të gjithë qytetarëve të thjeshtë amerikanë të shfaqin pozicionin e tyre njerëzor dhe të ndikojnë në vendimet e politikanëve të tyre. Njerëz, mendoni dhe ndaloni!” përfundoi Safronov.
Ndërkohë, CEO i McDonald’s Chris Kempczinski tha se konflikti në Ukrainë dhe kriza humanitare në Evropë u ka shkaktuar vuajtje të papërshkrueshme njerëzve të pafajshëm.
“Si sistem, ne i bashkohemi botës në dënimin e agresionit dhe dhunës dhe lutjes për paqen. Prioriteti ynë numër një që nga fillimi i kësaj krize ka qenë – dhe do të mbetet – njerëzit tanë”.
“Në tridhjetë e më shumë vitet që McDonald’s ka operuar në Rusi, ne jemi bërë një pjesë thelbësore e 850 komuniteteve në të cilat operojmë. Në të njëjtën kohë, vlerat tona nënkuptojnë se ne nuk mund të injorojmë vuajtjet e panevojshme njerëzore që ndodhin në Ukrainë. McDonald’s ka vendosur të mbyllë përkohësisht të gjitha restorantet tona në Rusi dhe të ndalojë të gjitha operacionet në treg”, shtoi Kempczinski.
“Ndërsa ne ecim përpara, McDonald’s do të vazhdojë të vlerësojë situatën dhe të përcaktojë nëse kërkohet ndonjë masë shtesë. Në këtë moment, është e pamundur të parashikohet se kur mund të jemi në gjendje të rihapim restorantet tona në Rusi,” përfundon deklarata.