Familjarët e të pagjeturve s’presin rezultate konkrete nga bisedimet
Rinisja e dialogut me Serbinë nuk ka sjellë optimizëm te familjarët e personave të pagjetur. Përkundër se çështja e tyre është thënë se do të diskutohet në takimet Kosovë-Serbi.
Por, krahas kësaj, dy vendet pritet të diskutojnë edhe për personat e zhvendosur. Njoftimin për një gjë të tillë, të mërkurën, e bëri vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Përfaqësuesi i familjarëve të të pagjeturve, Bajram Qerkini, thotë se institucionet e Kosovës nuk janë të përgatitura për hapjen e çështjes së të zhvendosurve.
Për trajtimin e temave të tilla, Saranda Bogujevci nga Komisioni për Persona të Pagjetur, thotë se Kosova nuk duhet të pranojë që Serbia të jetë palë e barabartë në tavolinën e bisedimeve.
Por, mundësia që çështja e personave të zhvendosur të jetë temë në Bruksel, është mirëpritur nga Ministria për Kthim dhe Komunitete.
Përmes një përgjigjeje me shkrim nga kjo ministri, kanë thënë se në rast se arrihet ndonjë marrëveshje në këtë aspekt, atëherë do të angazhohen në zbatimin e saj.
“Ne jemi të kënaqur që një nga temat e dialogut në Bruksel do të jetë çështja e personave të zhvendosur. Zgjidhja e çështjes së personave të zhvendosur është thelbësore për përparimin e një shoqërie që është përballur me këtë problem për shumë vite, sepse duhet të pranoni që të gjithë meritojnë të jetojnë në vendin ku janë shpërngulur nëse shprehin dëshirën për diçka të tillë. Sot, kemi shpërngulur njerëz që nuk mund t’i vizitojnë pronat e tyre as për një ditë, e lëre më të kthehemi në vendet e zhvendosjes. Kjo është një pamje që duhet të ndryshojë dhe shpresojmë që dialogu në Bruksel do të kontribuojë në atë. Nëse arrihet marrëveshje pozitive për këtë temë si një institucion ombrellë që merret me çështjen e personave të zhvendosur, ne mendojmë se me ndihmën e faktorëve përkatës mund të ndihmonim përfundimisht ta zgjidhim këtë çështje në favor të atyre që kanë pritur të kthehen në shtëpitë e tyre për shumë vite”, thuhet ndër tjerash në përgjigjen e Zyrës për Komunikim nga kjo ministri, transmeton Koha.
Sipas të dhënave që ka Ministria për Kthim dhe Komunitete, pas luftës në Kosovë, rreth 226.418 qytetarë u larguan nga shtëpitë e tyre. Deri më tani, rreth 28.500 prej tyre janë kthyer, në mesin e të cilëve rreth 12.500 serbë.