Fakulteti i Arteve me probleme dhe vështirësi të shumta
Studentët e Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës, përballen me probleme dhe vështirësi të shumta. Disa prej tyre thonë se përveç hapësirave të pamjaftueshme aty mungojnë edhe mjetet e nevojshme për punë praktike. Sipas studentëve, objekti nuk i plotëson as kushtet elementare, pasi që ai nuk është projektuar për fakultet të arteve.
Studentët e Fakultetit të Arteve ankohen se kushtet e punës në objektin e këtij fakulteti janë shumë ta pavolitshme. Gjatë intervistimit ata deklaruan se përveç hapësirës së pamjaftueshme, atyre u mungojnë edhe kushtet elementare për studime.
“Fakulteti ynë nuk i plotëson kushtet elementare për mbarëvajtjen e ligjëratave, hapësirat janë minimale dhe nuk janë të dedikuara për punën që ne e bëjmë, kemi nevojë për hapësira dhe kushte me të mira brenda fakultetit, sepse në këtë gjendje që është fakulteti, nuk i plotëson nevojat elementare të studentëve”, thonë shumica e studentëve.
Dekani i Fakultetit të Arteve, Agim Selimi, e pranon se objekti nuk i përmbush kushtet për studim, por ai thotë se kanë kërkuar nga Komuna e Prishtinës që t’u ndahet një parcelë për ndërtimin e objektit të ri, por ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigjeje.
“Ne kemi kërkuar nga Komuna e Prishtinës, për të na ndarë një parcelë dhe nëse na dedikon komuna një parcelë, atëherë mund të fillohet ndërtimi i objektit për Fakultetin e Arteve, i cili mund të zgjasë së ndërtuari dy apo tri vite”, ka thënë për Radio Kosovën, Selimi.
E përkundër tentimit përtë kontaktuar me zyrtarë të Komunës së Prishtinës, për të marrë përgjigjeje lidhur me kërkesën për ndarjen e parcelës për këtë fakultet, ata nuk janë përgjigjur.