EUROPOL-i me marrëveshje pune me Kosovën dhe Gjykatën Speciale
Kosova dhe Agjencia e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EUROPOL, të hënën (27 korrik), nënshkruan Marrëveshje të Punës, që ka për qëllim luftimin e krimeve të rënda.
“Marrëveshja e Punës prezanton një sistem të sigurt për shkëmbimin e informacionit dhe lidh Kosovën me autoritetet e zbatimit të ligjit të shteteve anëtare të BE-së dhe me vendet dhe organizatat e palëve të treta, të lidhura me EUROPOL-in”, thuhet në një deklaratë të dhënë për Radion Evropa e Lirë nga kjo agjenci.
Nga kjo organizatë po ashtu shtojnë se kjo marrëveshje i jep mundësi Kosovës që të vendosë një oficer ndërlidhës në selinë e EUROPOL-it në Hagë.
Aktualisht, në EUROPOL gjenden më shumë se 200 oficerë ndërlidhës të autoriteteve të zbatimit të ligjit nga më shumë se 40 vende të botës.
Çka është EUROPOL-i?
EUROPOL-i është Agjencia e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit dhe njihet ndryshe edhe si Policia Evropiane.
Me seli në Hagë, kjo agjenci mbështet 27 vendet anëtare të BE-së në luftën e tyre kundër terrorizmit, krimit kibernetik dhe formave të tjera të krimeve të rënda dhe krimit të organizuar.
EUROPOL-i gjithashtu punon edhe me shumë shtete partnere jashtë BE-së dhe me organizata ndërkombëtare.
Sipas kësaj agjencie, rrjetet kriminale dhe terroriste në shkallë të gjerë paraqesin një kërcënim të madh për sigurinë e brendshme të BE-së.
Kërcënimet më të mëdha të sigurisë vijnë nga: terrorizmi, trafikimi ndërkombëtar i drogës dhe pastrimi i parave, mashtrimi i organizuar, falsifikimi i kartëmonedhave euro, si dhe trafikimi me qenie njerëzore.
Sipas EUROPOL-it, rrjetet që fshihen pas këtyre llojeve të krimeve, janë të shpejta për t’i shfrytëzuar mundësitë e reja dhe këto rrjete janë rezistente përballë masave tradicionale të zbatimit të ligjit.
EUROPOL-i është qendra mbështetëse për operacionet e zbatimit të ligjit, është qendra me informacione mbi aktivitetet kriminale dhe për ekspertizën e zbatimit të ligjit. Kjo organizatë i përgjigjet Këshillit të Ministrave për Drejtësi dhe Çështje të Brendshme.
Marrëveshja e Punës me Kosovën
Kjo marrëveshje ende nuk është bërë publike, por, sipas njoftimeve të mëhershme, ajo parasheh bashkëpunim midis EUROPOL-it dhe Policisë së Kosovës, Doganave të Kosovës, Administratës Tatimore dhe njësive për parandalimin e pastrimit të parave.
Me anë të kësaj marrëveshjeje, Kosovës i jepen mundësi të reja në bashkëpunimin ndërkombëtar policor. Përveç bashkëpunimit me EUROPOL-in, Kosova do të ketë edhe një formë të re dhe më aktive të bashkëpunimit me të gjitha vendet e BE-së.
Bazuar në këtë Marrëveshje Pune, Kosova do të krijojë një zyrë qendrore për bashkëpunim me EUROPOL-in dhe do të fitojë qasjen në kanalin e komunikimit me këtë agjenci, si dhe mundësinë e dërgimit të oficerëve ndërlidhës në selinë e EUROPOL-it në Hagë.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Agim Veliu, që e nënshkroi këtë marrëveshje, tha se “Policisë së Kosovës dhe agjencive të zbatimit të ligjit tash do t’iu ofrohen mjetet e nevojshme dhe të domosdoshme për të goditur fuqishëm kriminalitetin transnacional”.
“Përmes kësaj marrëveshjeje, Policia e Kosovës trajtohet në mënyrë të barabartë si policitë e shteteve të rajonit”, tha Veliu të hënën.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, tha se Kosova tani do ta ketë mundësinë që në kanale zyrtare të shkëmbejë informacione me EUROPOL-in, si dhe të shkëmbejë analiza për situatën e përgjithshme që ndërlidhen me krimin.
Kosova, deri më tani, ka qenë vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, me të cilin EUROPOL-i nuk ka pasur marrëveshje bashkëpunimi dhe, rrjedhimisht, nuk ka pasur mundësi të shkëmbimit të informacioneve, me qëllim luftimin e krimit të rëndë dhe të organizuar.
Marrëveshje të tilla pune, EUROPOL-i ka edhe me Izraelin, Japoninë, Meksikën dhe Zelandën e Re.
Kur bëhet fjalë për vendet e rajonit, Shqipëria, Serbia, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut më herët kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim operacional dhe strategjik me EUROPOL-in.
EUROPOL-i, megjithatë, që nga viti 2017 bën vetëm “marrëveshje pune”, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit.
Qëllimi i Marrëveshjes për Bashkëpunim Operacional dhe Strategjik është forcimi i bashkëpunimit ndërmjet EUROPOL-it dhe shtetit përkatës dhe kjo marrëveshje lejon shkëmbimin e informacionit, përfshirë edhe të dhënat personale.
Marrëveshje me Gjykatën Speciale
EUROPOL-i, më 4 korrik, ka arritur Marrëveshje Pune edhe me Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë.
Qëllimi i kësaj marrëveshjeje, e cila është publikuar në ueb-faqen e EUROPOL-it, është të krijojë marrëdhënie bashkëpunimi midis EUROPOL-it dhe Dhomave të Specializuara dhe Prokurorit të Specializuar të Kosovës (Gjykata Speciale), në mënyrë që të mbështeten shtetet anëtare të BE-së dhe Dhomat e Specializuara në parandalimin dhe luftimin e krimit të rëndë, që prek dy ose më shumë shtete anëtare, pastaj terrorizmin dhe format e tjera të krimit.
“Palët, në veçanti, do të bashkëpunojnë në lidhje me hetimin dhe procedurat që janë relevante për pretendimet e krimeve të rënda ndërkufitare dhe ndërkombëtare, të kryera gjatë dhe pas konfliktit në Kosovë”, thuhet në këtë marrëveshje.
Nga Dhomat e Specializuara, lidhur me këtë marrëveshje, nuk kanë dashur t’i komentojnë çështjet operative ose zbatimin e marrëveshjes.
Nga EUROPOL-i thanë për Radion Evropa e Lirë se të gjitha marrëveshjet e punës bëhën mbi të njëjtat parime.
Gjykata Speciale në ueb-faqen e EUROPOL-it është klasifikuar si “organizatë ndërkombëtare”.
Gjykata e Kosovës, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, me ndryshime kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës.
Gjykata Speciale për krime të luftës është gjykatë e përkohshme, me mandat të kufizuar dhe me seli në Hagë. Kjo gjykatë vepron e pavarur dhe financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorisë së Specializuar janë përgjegjëse për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera penale, që lidhen me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011.
Në këtë raport flitet për krime që pretendohet se janë kryer nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën prej vitit 1998 deri në vitin 2000.