Eskalojnë protestat kundër puçit në Birmani, së paku 9 të vrarë
Forcat e sigurisë në Birmani kanë qëlluar me armë në drejtim të protestuesve që po e kundërshtojnë qeverinë ushtarake që e mori pushtetin me puç, duke vrarë së paku nëntë persona.
Dëshmitarët thanë se forcat e sigurisë filluan t’i përdorin armët e zjarrit me pak paralajmërim në disa qytete, shkruan Reuters.
“Ata marshuan drejt nesh dhe hodhën gaz lotsjellës, marshuan përsëri dhe hodhën granata shoku”, tha Si Thu Maung nga grupi organizues i protestave në Myingyan.
“Nuk na hodhën ujë, nuk na dhanë paralajmërim për t’u shpërndarë, vetëm na qëlluan me armë”, shtoi ai.
Në Myingyan u vra një adoleshent, por shumica e viktimave u shënuan në Monywa, ku katër burra dhe një grua u vranë.
Një dëshmitar dhe raportet e medieve thanë se dy persona u vranë në qytetin e dytë më të madh të vendit, Mandalay, ndërsa një tjetër u vra në Yangon.
Dhuna në protesta ndodhi vetëm një ditë pasi ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve fqinje në Azinë Juglindore bënë thirrje për vetëpërmbajtje.
Ushtria e Birmanisë e mori pushtetin më 1 shkurt, kur e rrëzoi qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike dhe e arrestoi kryeministren Aung San Suu Kyi.