“Është koha për arrestime”
Ka shumë individë që me rastin e hyrjës në Kosovë, nga ana e organeve kompetente janë urdhëruar që të vetizolohen. Mos të kontaktojnë me askënd.
Moszbatimi i këtij urdhëri është vepër penale sipas nenit 250 të Kodit Penal të Kosovës të Republikës së Kosovës, ku dënimi i paraparë ligjor është deri në dy (2) vite.
1.
Deri më tani, Kosova, sa i përket koronavirusit Covid 19, është një prej shteteve me shkallën më të ulët të përhapjes në Evropë. Situata është e njejtë edhe sa i përket shkallës së vdekshmërisë.
Ka shumë arsye, shkencore dhe jo shkencore, siç janë: jemi ndër shteter e para në regjion dhe më gjërë që i kemi marrë masat parandaluese si ndërprerja në të tërësi e sistemit shkollor; mbylla e restoraneve, kafeneve, qendrave tregtare; thirrjet e vazhdueshme që të punohet prej shtëpisë; obligimi që të mbahen maskat dhe dorëzat, si dhe ngritja e vazhdueshme e vetëdijës së popullatës nga ana e organeve kompetente për rrezikun e mbledhjës në grupe duke përfshirë distancën sociale.
Arsye tjetër mund të jetë fakti që jemi popullata më e re në Evropë.
Padyshim, fakti që nuk e kemi turizmin e zhvilluar; nuk ka qarkullim të kulturave dhe njerëzve të ndryshme, është faktor për mospërhapjen e hovshme të këtij virusi.
2.
Sidoqoftë, nuk duhet të vetkënaqemi dhe t’a ndjejmë vetën të relaksuar. Situata shumë lehtë mund të del prej kontrollës. E nëse eventualisht del, rrethanat pozitive që i përmenda më lartë, zbehen dhe degradohen menjëherë për shkak se jemi shteti me më së paku respiratorë.
Po ashtu, është fakt notor që sistemi i shëndetësisë lë shumë për të dëshiruar. Për më tepër, nuk jemi të njohur shumë as për ndonjë vetëdije të lartë shoqërore sa i përket respektimit të normave apo rregullave që kanë karakter jo-detyrues.
Çfarë na mbetet? Disiplina. Disiplinë e hekurt!
Mos të harrojmë: në Itali, kanë vdekur brenda ditës njëmijë persona. Ne, me kapacitete skajshmërisht të limituara spitalore, na mbetet t’i zbatojmë ligjet pozitive dhe vendimet e organeve kompetente me përpikmëri.
Zbatim të saktë dhe implementim brutal.
3.
Në kohë pandemie – pakujdesia e secilit prej nesh, e rrezikon tjetrin – e rrezikon masën. E rrezikimi mund të jetë me pasoja fatale.
Në fakt, përveç pasojave fatale, pakujdesia apo neglizhenca e jonë mund të kontribuojë në përhapjen eksponenciale të koronavirusit. Qarku vicioz pastaj nuk ka të ndalur.