Eroll Belegu kalon në parti politike
Eroll Belegu, këshilltar i jashtëm i kryeministrit në dorëheqje, Ramush Haradinaj, e ka konfirmuar se do ta vazhdojë rrugën politike bashkë me këtë parti.
Këtë e ka bërë të ditur gjatë një ceremonie të AAK-së ku janë shpalosur aderimet e reja në këtë parti.
Derisa Eroll Belegu po e udhëhiqte këtë ceremoni, Haradinaj e mori fjalën për t’i falënderuar të gjithë ata që i kanë besuar vizionit dhe misionit të kësaj partie. Por në një moment, Haradinaj iu drejtuar Belegut si me shaka.
“Eroll, a po na tregon tash, a po kalon në AAK, a qysh po ja ban”, ka Haradinaj derisa qeshte.
Belegu më pas e mori fjalën dhe tha se do të jetë pjesë e ekipit të AAK-së, duke besuar në punën dhe angazhimin e kësaj partie, në krye me Ramush Haradinajn.
“Unë vullnetarisht i jam bashkuar ekipit të kryeministrit Haradinaj, si këshilltar i jashtëm. Më herët kam udhëhequr me shumë biznese, por i kam lënë të gjitha kur e kam parë vizionin e kryeministrit Haradinaj. Është nder me qenë pjesë e ekipit të AAK-së”, ka thënë Belegu.
Pas kësaj, të gjithë ata që kanë aderuar kohët e fundit e bën një fotografi të përbashkët me Haradinajn./FaktePlus/