Enver Hasani refuzon të bashkëpunojë me Jeta Xharrën, konsideron se është persekutuar nga BIRN-i
Sinjali ka siguruar disa korrespodenca elektronike ku shënohen edhe arsyet që Hasani ia ka përmendur BIRN-it për refuzimin e bashkëpunimit.
Këto të dhëna, BIRN i ka kërkuar nga Hasani të paktën dy herë. Në emailin që i është dërguar Hasanit më 2 prill, gazetarja i ka kërkuar që t’i ofrojë disa të dhëna në bazë të një projekti që po e zhvillon BIRN-i për avancimin e të drejtave pronësore.
Të drejtat, por të mohuara ndaj tij, Hasani ia ka përmendur BIRN-it në krye të përgjigjes së tij. Ai ka theksuar se nuk është përgjigjur dhe nuk do t’u përgjigjet pyetjeve të BIRN-it, duke dhënë arsyetimin e tij për këtë.
Fillimisht, Enver Hasani është shprehur se ndihet i persekutuar edhe i diskriminuar nga rrjeti medial i Jeta Xharrës, që siç thotë, pas një persekutimi të gjatë, nuk ia ka dhënë mundësinë të sqarohet, anipse këtë thotë se ia ka kërkuar Jeta Xharrës me ngulm disa herë.
“Letrat tuaja i kam marrur. Arsyeja pse nuk jam përgjigjur dhe nuk përgjigjem në pyetjet tuaja ka të bëj me një persekutim që BIRN e ka bërë ndaj meje dhe asnjëherë nuk më ka dhënë mundësinë për t’u sqaruar rreth të vërtetës. Atij persektuimi publik, të cilin të gjitha instancat gjyqësore në Kosovë e kanë thënë se është persekutim, i ka pri Jeta Xharra. Nga ajo dhe superiorët e saj kam kërkuar me ngulm, disa herë, që të më jepet mundësia e deklarimit tim për pafajësinë totale dhe nuk kam marr një përgjigje”, shkruan Hasani.
Viti 2014 është periudha prej kur Hasani u bë temë e gjatë për Jeta Xharrën. Rrjeti medial që e drejton Xharra po raportonte në vazhdimësi për një aferë, nga e cila në fund instancat gjyqësore do ta vërtetonin pafajësinë e ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.
Aktakuza e ngritur kundër Hasanit, sipas këtij të fundit ka përmbajtur edhe deklarata publike të Xharrës. Këtë, Enver Hasani ia ka përmendur Jeta Xharrës tash, përmes përgjigjes që ia ka dërguar gazetares së BIRN-it.
Hasani në email shkruan se ka prova materiale që Jeta Xharra ka selektuar prova për pafajësinë e tij, për të mos i publikuar kurrë.
“Për më shumë rreth kësaj teme, ju mund t’i drejtoheni Jeta Xharrës dhe ajo ju tregon detajet, në ndërkohë që unë kam provat materiale që ajo i ka pasur dhe nuk i ka bërë publike, gjithnjë me qëllim të konstatimit publik të së vërtetës rreth persekutimit tim”, i shkruan Hasani gazetares së BIRN-it. “Ju njoftoj se deklaratat e saj publike kundër meje kanë qenë ad literam, të ripërsëritura në aktkauzën formale të ngritur më pastaj kundër meje. E përsëris, të gjitha instancat gjyqwsore në Kosovë, deri në Gjykatën Supreme, kanë thënë se unë jam perspekutuar pa të drejtë”, shprehet ai.
Duke e siguruar gazetaren se nuk ka asgjë personale me të dhe duke shprehur konsideratë ndaj punës së saj profesionale, Hasani i ka thënë asaj se “jeni të lirë të përdorni të dhënat zyrtare që janë të evidentuara në organet shtetërore të Kosovës dhe që kanë të bëjnë me hulumtimin tuaj”.
“Nga kjo që ju thash si më sipër, asnjëherë nuk del që unë kam nodnjë rezervë në vetvete që ju të përdorini në tërësi të dhënat e mia dhe të bashkëshortes sime që janë publike dhe që i kam deklaruar çdoherë në organin përkatës për deklarimin e pasurisë dhe mënyrës së fitimit të saj”, shkruan Hasani.
Në fund, ai ka theksuar se rrjeti BIRN i ka borxh moral atij dhe familjes së tij, të cilin duhet ta sqarojë denjësisht.
Gjykata Supreme, si instancë e fundit gjyqësore, i kishte hedhur poshtë të gjitha akuzat ndaj ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese duke e shpallur atë përfundimisht të pafajshëm.