Enver Hasani për vendimin e Vjosa Osmanit: Është shkelje kushtetuese, u përdor edhe gjuhë joprofesionale
Ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka komentuar vendimin e presidentes Vjosa Osmani për shkarkimin e kryetares së KQZ-së, Valdete Daka.
Hasani në Pressing të T7 ka thënë se ky vendim ishte shkelje e Kushtetutës, duke theksuar se gjithashtu në tekstin e vendimit është përdorur gjuhë joprofesionale.
“Që ta kemi të qartë, asnjë kompetencë e presidentit të Kosovës dhe presidentëve të vendeve që kanë sistem të ngjashëm me ne, nuk kanë kompetencë ekzekutive, të gjitha janë zingjirore. Kushtetuta e thotë shumë mirë se presidenti ka të drejtë vetëm për të emëruar kryesuesin e KQZ-së, që do të thotë për të aminuar zgjedhjen e bërë nga Apeli ose Supremja e Kosovës”, tha Hasani.
Tutje ai tha se presidentja e Kosovës dhe çdo president që i takon një demokracie kushtetuese parlamentare, nuk ka vendimmarrje autonome.
“Vendimi është joprofesional, përdor gjuhë joprofesionale. Nuk mundet me qenë institucion i gjetjes së fakteve. Gjithçka është zingjirore asgjë nuk është autonome”, tha ai.