Ende asnjë hap konkret të rishikohet shënjimi i kufirit me Malin e Zi
Janë bërë nëntë muaj që kur në Kuvendin e Kosovës u miratua ligji për ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi. E bashkë me këtë marrëveshje, me 21 mars të këtij viti, ishte miratuar edhe një deklaratë e përbashkët e nënshkruar nga dy presidentët, ai i Kosovës dhe Malit të Zi, me të cilën pajtoheshin për korrigjimin e lëshimeve eventuale që mund të ketë marrëveshja për demarkacion.
Pas shumë tentimeve me ardhjen e qeverisjes së re në një seancë të jashtëzakonshme, marrëveshja për demarkacionin e Kosovës me Malin e Zi u votua nga deputetët me 80 vota për, 11 kundër dhe asnjë abstenim.
Por, edhe pse Kosova e Mali i Zi kanë dakordim që të shikohen lëshimet eventuale që mund të kenë ndodhur në demarkacion, Komisioni Shtetëror për Mbikëqyrjen dhe Mirëmbajtjen e Kufirit i formuar nga Qeveria aktuale e Kosovës, ende nuk ka marrë ndonjë hap konkret në këtë drejtim.
Kryetari i këtij komisioni, Shpejtim Bulliqi, ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se ende nuk ka asgjë konkrete.
“Nuk ka diçka konkrete ende. Jemi duke punuar. Për të tjera ju lutem drejtohuni në Qeveri”, ka thënë shkurt Bulliqi.
Kurse në Qeverinë e Kosovës thonë se Komisionit Shtetëror për Mbikëqyrjen dhe Mirëmbajtjen e Kufirit i është dhënë mandat dy vjeçar, për ta kryer punën e tij.
Zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi ka thënë se tashmë vet komisioni në bazë të prioriteteve tregon kur mund të fillohet puna në terren.
“Komisioni Qeveritar për shënjimin e vijës kufitare të Kosovës është krijuar nga Qeveria që në fillim të mandatit dhe ka mandat 2 vjeçar për ta bërë punën e tyre. Është detyrë e tyre kompletimi i gjithë materialit për këtë temë dhe pastaj Qeveria në bazë të prioriteteve që ka e vendos edhe kur me nis shënjimi i vijës kufitare me Malin e Zi”, theksoi Gashi.
Megjithatë, edhe pse gati po bëhet një vit që prej ratifikimit të demarkacionit, Gashi thotë se e rëndësishme është që dy vendet kanë një miqësi të mirë, pavarësisht se kur fillon ky proces.
“E rëndësishme në këtë drejtim është që ne kemi një marrëveshje dhe miqësi të mirë me këtë shtet dhe nuk është ndonjë problem se a nis sot apo nesër ky proces”, tha ajo për FaktePlus.
Kujtojmë se në seancën kur Kuvendi i Kosovës e ka miratuar demarkacionin me Malin e Zi, kryeministri Ramush Haradinaj ka qenë zotuar se komisionet mes Kosovës dhe Malit të Zi, do takohen në baza mujore dhe do të korrigjohen të gjitha lëshimet që janë bërë në këtë demarkim.
Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit, ka kohë që po i shqyrton dokumentet dhe faktet ekzistuese në lidhje me shënjimin e vijës së kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi dhe po përgatitet që të përmirësohen gabimet eventuale. Por, drejt rregullimit të këtyre lëshimeve ende nuk ka ndodhur asnjë takim mes palëve të të dyja shteteve. Tani meqë jemi në fundvit duhet pritur vitin e ri 2019 dhe të shihet nëse do të ndodh diçka konkrete në këtë drejtim./B.Syla-FaktePlus