Emrat që i dolën përkrah Vjosa Osmanit kundër koalicionit të LDK-së me AAK-në dhe Nismën
Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së e ka miratuar mundësinë që kjo parti të bëjë koalicion me AAK-në, Nismën, AKR-në dhe pakicat.
Kjo u bë e ditur nga Lidhja Demokratike e Kosovës nëpërmjet një komunikate për media.
Në këtë komunikatë thuhet se LDK ka marrë mandatin për formimin e qeverisë në koalicion me AAK-në, Nisman Socialdemokrate-AKR dhe komunitetet nga Këshilli i Përgjithshëm i partisë.
Në këtë votim, 108 anëtarë të Këshillit të LDK-së ishin pro, 6 kundër dhe 10 abstenuan ndaj pyetjes për koalicion me këto parti politike.
Burime të lajmi.net brenda LDK-së kanë treguar se përveç Vjosa Osmanit edhe 3 deputetë të kësaj partie kanë qenë kundër koalicionit me AAK-në dhe Nismën Socialdemokrate.
Deputetët që cilët votuan kundër koalicionit ishin të njëjtit që votuan edhe kundër rrëzimit të qeverisë Kurti. Haxhi Avdyli, Arlind Shala e Fatmir Rexhepi u bashkuan në anën e Vjosa Osmanit.
Gjithashtu, kundër kanë votuar Xhafer Tahiri dhe këshilltari i Lartë Politik i Osmanit në Kuvend, Faton Peci.
Vlen të theksohet se në këtë mbledhje, 10 anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës abstenuan.
Në anën tjetër, koha për të dërguar mandatarin tek Presidenti nga kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje si parti fituese ende nuk ka përfunduar.
Ditëve të fundit është hapur debat i madh se kujt i takon mandatari në rast se Vetëvendosje nuk ka të tillë. Interpretuesit e Kushtetutës janë të ndarë në dy tabore – disa thonë se i takon partisë së dytë e të tjerët i shohin vetëm zgjedhjet si mundësi.
Mbetet të shihet se çfarë do të ndodh ditët në vazhdim nëse Kurti nuk e përdorë të drejtën e tij për të dërguar mandatarin e ri për formimin e qeverisë.