Emetohet pulla e re postare me titull ‘’30-vjetori i Zgjedhjeve Parlamentare-Presidenciale”.
Me rastin e shënimit të 30-vjetorit të zgjedhjeve parlamentare, Filatelia e Postës së Kosovës, nga sot emeton emisionin e ri të pullës postare të titulluar: ”30-vjetori i Zgjedhjeve Parlamentare-Presidenciale”.
Sipas kësaj filatelie, zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të vitit 1992 në Republikën e Kosovës kishin rëndësi të veçantë historike, kombëtare e shtetërore.
Në Kosovë më 24 maj 1992, me simbolikë shtet-formuese, mbi 89% të qytetarëve të Kosovës votuan për të zgjedhur Presidentin e Republikës së Kosovës dhe 100 deputetë për Parlamentin e Kosovës.
Me shumicë të votave Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës.
Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare e presidenciale të vitit 1992, e dëshmoi përpjekjen e popullit për një shtet demokratik, prandaj përmes imazhit të kësaj pulle postare, Filatelia e Postës së Kosovës e nderon këtë ngjarje historike të vendit tonë.