Elezi tregon numrin e saktë të votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta
Kur po shkon drejt fundit rinumërimi i 530 vendvotimeve, menjëherë pritet që të fillojë numërimi i votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka konfirmuar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, se janë 26 mijë e 400 vota me kusht dhe 2 mijë e 150 vota të personave me nevoja të veçanta.
“Numri i votave me kusht në nivel vendi është rreth 26 mijë e 400, ndërsa numri i votave të personave me nevoja të veçanta është rreth 2 mijë e 150”, ka thënë Elezi.
Ai ka theksuar se këto vota do t’iu nënshtrohen kontrolleve, krahasimeve dh verifikimeve dhe vetëm ato fletëvotime që aprovohen do të numërohen.
“Këto vota do t’i nënshtrohen kontrolleve, krahasimeve dhe verifikimeve me votuesit e rregullt dhe atëherë do të kemi të qartë se sa prej tyre aprovohen dhe sa refuzohen. Vetëm fletëvotimet e aprovuara numërohen”, është shprehur Elezi.
Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës janë mbajtur me 6 tetor, derisa, ende nuk është kryer rinumërimi i 530 vendvotimeve, pasi janë evidentuar gabime teknike dhe mos përputhje e votave në formularët e votave. /FaktePlus