“Elektrosever” merr licencën për furnizimin e veriut me rrymë
Është aprovuar licenca për furnizim me energji elektrike për “Elektrosever” për katër komunat veriore. Kjo licencë pesëvjeçare u aprovua në mbledhjen e sotme të bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), me pesë vota për dhe asnjë kundër.
Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka miratuar të premten kërkesën për dhënie të licencës për furnizim me energji elektrike për “Elektrosever” për katër komunat veriore, bazuar në marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Me pesë vota për dhe asnjë kundër, ZRRE-ja ia ka dhënë të premten licencën për furnizim me energji elektrike kompanisë “Elektrosever”.
Më 28 dhjetor të 2020 “Elektrosever” kishte dërguar në ZRRE aplikacionin për licencë për furnizim me energji elektrike.
“Me të drejtë u përshkrua në mënyrë kronologjikë aplikacioni për licencim. Katër komunat në veri: Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Mitrovica Veriore, territori qe mbulon kjo licencë janë konsumatorët e këtyre komunave. E dimë që ka qenë proces i stërzgjatur. Kjo licencë gjithashtu duhet të ritheksoj ka të bëjë me furnizimin e konsumatorëve me çmime të parregulluara, që do të thotë se konsumatorët do të furnizohen me çmime që ofrohen nga ky furnizues. Por tarifat e shfrytëzimit të rrjetit të transmisionit të tregut, të furnizuesit do të jenë obligative dhe do të implementohen në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Ndërsa konsumatorët kane të drejtë të furnizohen me çmime të parregulluara nga furnizuesi Elektrosever”, ka thënë kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu.
Kosova dhe Serbia në Bruksel të martën nënshkruan udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjeve të arritura për energjinë gjatë viteve 2013 e 2015, ku njëra ndër pikat obligon ZRRE-në t’ia lëshojë licencën e furnizimit “Elektroseverit”.
Me këtë marrëveshje është paraparë që konsumatorët në veri ta paguajnë vetë rrymën e shpenzuar.
Nga fundi i luftës, më 1999, deri më 2017, rrymën për ta e kanë paguar qytetarë të pjesëve të tjera të Kosovës.
Nga 2017-ta e këndej – për shkak të ankesave të shumta – përgjegjësia për pagesën ka kaluar te Qeveria e Kosovës.
Veriu, i banuar me shumicë serbe, ka refuzuar pagesën për shkak të mosbindjes qytetare, por edhe ndikimit të strukturave të ndryshme atje, që kanë operuar me dirigjimin e Serbisë.
Kryesuesi i Bordit të ZRRE-se, Ymer Fejzullahu, tha të premten se qytetarët e katër komunave në veri – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan – do të faturohen me çmimet që i ofron kompania furnizuese, Elektrosever.
ZRRE-ja miraton çdo vit tarifat për operatorët e tjerë energjetikë.
Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka deklaruar më 21 qershor se Elektrosever-i nuk do të prodhojë rrymë, por do ta blejë atë – qoftë nga Korporata Energjetike e Kosovës apo nga një tjetër ofertues në tregun ndërkombëtar – ndërsa inkasimin do ta bëjë vetë.
Elektroseveri, rrjedhimisht, mund të marrë apo blejë rrymë edhe nga kompania serbe, EPS.