Ekskluzive: Kjo është pozita që do të merr Shpend Maxhuni në Policinë e Kosovës
Pasi ditë më parë dha dorëheqje nga pozita e shefit të AKI-së, Shpend Maxhuni ka kërkuar sërish strehë në Policinë e Kosovës, institucion ky që e udhëhoqi për vite me radhë.
Në fakt Maxhuni të mërkurën i është drejtuar Policisë së Kosovës me kërkesën që të kthehet në ndonjë pozitë brenda këtij institucioni.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka mësuar se ish- kryespiuni ka kërkuar që të sistemohet si drejtor i Drejtorisë për Inteligjencë në Policinë e Kosovës.
Mirëpo, kjo kërkesë nuk i është aprovuar Shpend Maxhunit.
FaktePlus ka mësuar se për ish- shefin e AKI-së është caktuar një pozitë tjetër. Ai do të bëhet drejtor i Divizionit të Trafikut Rrugor në Policinë e Kosovës.
Se Maxhuni ka kërkuar rikthimin në polici e kanë bërë të ditur në një përgjigje me shkrim edhe nga Policia e Kosovës, ku shkruhet se Maxhuni iu është drejtuar PK-së me një kërkesë për rikthim në punë në këtë institucion.
“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës ka pranuar kërkesë nga z.Shpend Maxhuni për rikthim në Policinë e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Megjithatë, nga policia nuk kanë dhënë tutje detaje se për çfarë kërkese bëhet fjalë si dhe nëse është shqyrtuar e njëjta. Maxhuni në anën tjetër ka qenë i pa qasshëm gjatë mëngjesit së sotëm.
Shpend Maxhuni dorëzoi dorëheqjen te kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj me datë 6 nëntor, derisa një ditë më vonë Haradinaj tha se kjo dorëheqje kishte ardhur si pasojë e shkaqeve shëndetësore.
Në anën tjetër, është raportuar se dorëheqja e tij lidhet me ftesën nga Gjykata Speciale, derisa, për Maxhunin u raportua se mund të shkojë edhe si konsull në Izmir.
Nga MPJ kanë konfirmuar se janë në procedurë të hapjes së konsullatës në këtë vend./FaktePlus