Ekipi i OBSH-së që hetoi në Wuhan: Virusi po qarkullonte gjerësisht në dhjetor
Teksa po hetonin origjinën e koronavirusit në Kinë, hetuesit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) kanë zbuluar shenja se shpërthimi në Wuhan ishte shumë më i gjerë sesa mendohej në dhjetor të vitit 2019. Kështu, ata kërkojnë urgjentisht qasje në qindra mijëra mostra të gjakut nga banorët e këtij qyteti.
Hetuesi kryesor për misionin e OBSH-së, Peter Ben Embarek, i tha CNN në një intervistë ekskluzive se misioni kishte gjetur disa shenja të përhapjes më të gjerë në vitin 2019, përfshirë faktin që kishte mbi një duzinë të infektuarish në Wuhan në dhjetor. Ekipi gjithashtu kishte pasur mundësinë për të diskutuar me pacientin e pare për të cilin zyrtarët thanë se ishte infektuar, një punonjës zyre në të 40-at, pa histori udhëtimi dhe i raportuar si rast më 8 dhjetor.
Paraqitja e të dhënave më të hollësishme në udhëtimin e shumëpritur të OBSH-së në Kinë mund të shtojnë shqetësimet e shprehura nga shkencëtarë të tjerë që thonë se virusi mund të jetë përhapur në Kinë shumë kohë para raportimit të tij zyrtar.
Embarek, i cili sapo është kthyer në Zvicër nga Wuhani, i tha CNN: “Virusi po qarkullonte gjerësisht në Wuhan në dhjetor, gjë që është një zbulim i ri.”
Specialisti i OBSH-së shtoi se ekipi ishte prezantuar nga shkencëtarët kinezë me 174 raste të koronavirusit në dhe rreth Wuhan në dhjetor 2019. Nga këto 100 ishin konfirmuar nga testet laboratorike, tha ai, dhe 74 të tjerë përmes diagnozës klinike të pacientit.
Embarek tha se kjo do të thoshte që sëmundja mund të kishte prekur rreth 1000 njerëz në Wuhan asokohe.
“Ne e dimë se nga popullata e infektuar, rreth 15% përfundojnë në raste të rënda dhe shumica dërrmuese janë raste të lehta.”
Embarek tha se misioni i cili përbëhej nga 17 shkencëtarë të OBSH-së dhe 17 ekspertë kinezë kishte zgjeruar llojin e materialit gjenetik të virusit që shqyrtuan nga rastet e hershme të koronavirusit në dhjetorin e parë. Si rezultat, ata ishin në gjendje të grumbullonin për herë të parë 13 sekuenca të ndryshme gjenetike të virusit SARS-COV-2 nga dhjetori 2019. Sekuencat, nëse ekzaminohen me të dhëna më të gjera të pacientëve në Kinë përgjatë vitit 2019, mund të sigurojnë të dhëna të vlefshme për gjeografinë dhe kohën e shpërthimit para dhjetorit.
Embarek tha: “Disa prej tyre janë të lidhura me tregjet, por disa prej tyre nuk janë”.