Ekipi i Bidenit i kërkon administratës Trump të nisë tranzicionin e pushtetit këtë javë
Në një kohë kur në Shtetet e Bashkuara numri i rasteve me koronavirus vazhdon të rritet, ekipi i tranzicionit i ish-nënpresidentit dhe fituesit të parashikuar të garës së sivjetme presidenciale, Joe Biden, po i kërkon administratës së presidentit Trump të nisë këtë javë procesin e tranzicionit. Pengesat në këtë drejtim, sipas anëtarëve të ekipit të Bidenit, do të rrezikonin vendin ndërsa ndodhet në mesin e një vale pandemie.
Rastet me koronavirus po rriten kudo në SHBA. Por ndërkohë virusi është bërë pjesë e një drame politike, rreth asaj nëse presidenti Donald Trump do të lejojë bashkëpunimin mes administratës së tij dhe ekipit që punon për Joe Bidenin, i parashikuar si fitues i garës presidenciale, e që do të inaugurohet më 20 janar të 2021.
Deri më tani, Presidenti Trump, i cili vazhdon të pretendojë, por pa ofruar prova, për manipulim masiv të votave, nuk e ka lejuar fillimin e procesit të tranzicionit të administratës së re. Anëtarët e ekipit të Bidenit thonë se kjo po vë në rrezik vendin ndërsa ndodhet në mesin e një vale pandemie.
“Është në interesin kombëtar që ekipi i tranzicionit të njihet me informacionet rreth kërcënimit që paraqet pandemia, në mënyrë që të kuptojë planet e shpërndarjes së vaksinave, të dijë se ku janë rezervat, cila është gjendja me maskat e dorëzat. Ka shumë informacione të cilat duhet të shpërndahen. Kjo nuk është një gjë që mund të bëhet në minutën e fundit”, thotë dr. Atul Gawande, anëtar i bordit këshillimor të Bidenit mbi çështjet që lidhen me COVID-19.
Sipas gazetës “The Washington Post”, hera e fundit që presidenti Trump ka marrë pjesë në takimet e grupit të punës mbi koronavirusin, ishte para pesë muajsh. Por, javën e kaluar, ai foli mbi kohën që do të duhet për prodhimin e një vaksine kundër COVID-19.
“Ky proces do të fillojë menjëherë, do të shpërndahen me miliona doza së shpejti. Ata janë gati në pritje të miratimit përfundimtar”, tha Trump.
Admirali Brett Giroir, anëtar i grupit të punës së Shtëpisë së Bardhë mbi koronavirusin, thotë se informacionet rreth përpjekjeve të administratës Trump për të luftuar infeksionin janë ndarë gjerësisht me publikun, përfshirë dhe me anëtarët e ekipit të Bidenit.
“Dua të jem sa më transparent të jetë e mundur me të gjithë. Kjo nuk është çështje politike. Kjo është një çështje që lidhet me shëndetin publik dhe shpëtimin e jetëve të amerikane. Mendoj se nuk ka asgjë më të rëndësishme se kjo”, u shpreh ai.
John Bolton, ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Trumpit, u bëri thirrje udhëheqësve republikanë të nxisin Shtëpinë e Bardhë të ndajë me administratën e Bidenit informacione lidhur me virusin dhe sigurinë kombëtare.
“Sërish mendoj se duhet që republikanët të shpjegojnë se është e pashmagshme që të ketë një tranzicion dhe se ai duhet të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur”, thotë ai.
Sipas të dhënave të universitetit Johns Hopkins në SHBA janë regjistruar mbi 11 milionë raste me koronavirus dhe rreth 246 mijë vdekje prej fillimit të pandemisë. Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të lartë në botë të banorëve të prekur me COVID-19.