Efektet pozitive që solli për kosovarët karantina-vetizolimi
Mbyllja e detyrueshme e shumicës së aktiviteteve për shkak të rrezikut nga përhapja e Koronavirusit, ka ndikuar që të krijohen probleme të shumta e nga më të ndryshmet për qytetarët e gjithë globit. Por përveç shumë të këqijave, karantina e vetizolimi, ka pasur së paku një efekt pozitiv tek qytetarët e Kosovës.
Pas masave të Qeverisë së Kosovës për t’u izoluar dhe kufizimit për lëvizje, libri është parë thuajse prapa çdo personi që ka realizuar së paku një lidhje direkte nga shtëpia në ndonjë emision televiziv.
E kjo ka qenë lidhja vizive me librin, pa çka leximi i tij ka vazhduar në shtëpi, më shumë se herëve tjera.
Koronavirusi i ka detyruar njerëzit t’i ndalojnë aktivitetet e përditshme, si rrjedhojë tjetër gjë s’mbetej, pos leximit të librave apo shikimit të filmave. Kështu në një masë kosovarët ai panë hajrin vetizolimit, pasi këtyre ditëve lexuan më shumë se zakonisht.
Ndonëse, sipas disa hulumtimeve të organizatës ETEA, nxënësit në një përqindje të madhe nuk kujtojnë tre tituj librash, qoftë ata edhe të fundit që kanë lexuar.
Megjithkëtë, numri i blerësve në disa prej librarive të kryeqytetit është rritur gjatë kohës së izolimit.
Kjo gjë thuhet se ndikon në të madhe edhe në aspektin psikologjik në largimin e vëmendjes nga pandemia COVID-19.
Sipas drejtorit të organizatës ETEA, Agon Ahmeti, gjatë kësaj kohe u shfaq dëshira për të qenë i lexueshëm.
“Izolimi si pasojë e Covid 19 shpërfaqi një dukuri interesante. Dukej se secili kishte një dëshirë, dëshirën për të qenë i lexueshëm. Kjo shpërfaqej përmes vënies së librave në prapavijë gjatë lidhjeve direkte nga ambientet shtëpiake në media përmes platformave online. U bë mirë sepse libri u promovua në media si asnjëherë më parë”, u shpreh Ahmeti, që bashkë me organizatën e tij, janë ndër promovuesit më të mëdhenj të leximit dhe librit.
Por, se sa lexohet libri në të vërtetë, Ahmeti thotë se kjo çështje ende mbetet shqetësuese.
“Nga hulumtimet e organizatës ETEA, rreth 40% e fëmijëve thonë se nuk kujtojnë herën e fundit kur kanë parë prindërit duke shfletuar libra. Ndërsa, nxënësit prej rreth 35% deri në rreth 70% nga niveli fillor i arsimit, deri në nivelin e mesëm të lartë nuk janë në gjendje të kujtojnë tre tituj librash”, ka shtuar Ahmeti për Fakte Plus.
Sipas tij, tani koha e mjaftueshme po mundëson edhe leximin e librave, porse ka një dyshim.
“Sa po lexohet në karantinë? Kjo pyetje hipotetike dhe duke qenë e tillë po nisem nga vetja dhe rrethi im. Koha më e lirë po mundëson më shumë lexime. Ndoshta te të gjithë po ndodh e njëjta, së paku shpresoj diçka të tillë. Mbetet të shihet në të ardhmen nëse libri i vendosur në prapavijë gjatë intervistave do të jetë vërtetë diçka me të cilën krenohemi”.
E distanca fizike me njerëzit nuk vlen edhe për librin. Madje leximi ndihmon shumë në aspektin psikologjik.
Sipas psikologes Antigona Qenaj-Sejdiu, efekti i librit në ditët e karantinës është shumë i madh, sidomos për ta larguar vëmendjen nga situata me pandeminë.
“Efekti i librave në ditët e karantinës ka qenë i madh. Përveç që i ka ndihmuar njerëzve ta kalojnë kohën që e kemi me bollëk, libri ka ndryshuar edhe mënyrën e të menduarit dhe emocionet tona si dhe kanë larguar vëmendjen nga situata e pandemisë”, ka thënë Qenaj-Sejdiu për Fakte Plus.
Ajo gjithashtu shtoi se leximi i librave ndihmon shumë edhe në psikologjinë e njeriut.
“Kur lexojmë një libër i cili na pëlqen dhe thellohemi në të, truri ynë gjallërohet me imazhe dhe emocione sikur të përjetonte një realitet. Gjithashtu zgjohen edhe shqisat tona. Gjithçka duket sikur një përvojë e vërtetë dhe reale. Kjo përvojë mund të themi që është ushqim për trurin. Kjo ndihmon shumë edhe në aspektin psikologjik”, tha psikologia Qenaj-Sejdiu
Psikologia gjithashtu shtoi se një nga aspektet pozitive të pandemisë është edhe fakti që njerëzit iu kthyen përsëri leximit të librave.
“Të jesh duke lexuar një libër nënkupton që ti nuk je vet, je sikur me një shok, je me personazhet dhe me ngjarjet e librit! Kjo ndihmon që të kalojmë më lehtë edhe aspektin e distancimit social, kur të gjithëve po na mungojnë njerëzit dhe qëndrimi me ta”.
Mbetet të shihet se a do të vazhdojë blerja dhe leximi i librave edhe pas pandemisë, pasi një shprehi edhe mund të jetë krijuar. Pavarësisht këtyre, sipas raportit të fundit të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, del se libra ka mjaftueshëm por jo edhe lexues.
Sipas statistikave të fundit nga 1.775.7435 libra sa janë në të gjitha bibliotekat e vendit ka vetëm 156.535 mijë lexues.
Sipas librarive në kryeqytet, libra më së shumti janë shitur në Prishtinë, Pejë, Ferizaj e Gjakovë./FaktePlus