Edi Rama tregon se arriti në Prishtinë, e quan njollë turpi aktakuzën e Speciales
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë të ditur se arsyeja e vizitës së tij në Kosovë lidhet me njoftimin e Speciales për aktakuzat ndaj presidentit të vendit, Hashim Thaçit dhe kreut të PDK’së, Kadri Veselit.
Në një shkrim në Twitter, Rama ka thënë se ka ardhur në Prishtinë për të dëgjuar dhe mësuar më shumë pas njoftimit të Speciales.
Rama thotë se kjo do të hyjë is njollë turpi e shekullit 21 në historinë botërore të Drejtësisë.
Javën e kaluar, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën Thaçi, Veseli dhe të tjerë akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Ende nuk është e qartë se kush bën pjesë në grupin e “të tjerëve”, siç i ka cilësuar Zyra e Prokurorit.
Çështja kalon tani te gjykatësi i procedurës paraprake, i cili do të vërtetojë ose hedhë poshtë aktakuzën.
Thaçi, i cili ka ndërprerë udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara, ku pritej të mbante një takim me homologun serb, Aleksandar Vuçiq, do t’i drejtohet sonte opinionit në lidhje me aktakuzën.
Të premten, në një postim në llogarinë e tij në Instagram, Thaçi ka thënë se akush “nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës”, ndërsa Veseli ka thënë se dyshimet e ngritura janë të pavërteta.
https://twitter.com/ediramaal/status/1277556561825669120