Edhe një shtet i madh i BE-së pezullon vaksinën e AstraZeneca-s për ata nën 60 vjeç
Spanja e ka kufizuar përdorimin e vaksinës së kompanisë AstraZeneca vetëm për personat mbi moshën 60-vjeçare, pasi rregullatorët evropianë dhe britanikë gjetën lidhje të mundshme mes kësaj vaksine dhe mpiksjes së rrallë të gjakut në tru.
“Strategjia e vaksinimit është duke ndryshuar dhe nga nesër, vetëm personat mbi moshën 60-vjeçare do të vaksinohen me vaksinën e AstraZeneca-s”, tha ministrja e Shëndetësisë, Carolina Darias, gjatë një konference për gazetarë të mërkurën.
Ministrja gjithashtu tha se të enjten do të merret një vendim nëse personat që e kanë marrë dozën e parë të kësaj vaksine do ta marrin edhe dozën e dytë apo jo, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Agjencia Evropiane e Ilaçeve të mërkurën njoftoi se ka raporte për 169 raste të mpiksjes së rrallë të gjakut nga 34 milionë doza të dhëna brenda Evropës. Shumica e këtyre rasteve u paraqitën te gratë nën moshën 60-vjeçare, brenda dy javësh pas vaksinimit.
Maria Jesus Lamas, drejtore e rregullatorit spanjoll të ilaçeve, tha se numri i rasteve të mpiksjes është më i lartë sesa është pritur, por prapë shumë i vogël.
Ministrat e Shëndetësisë të vendeve të Bashkimit Evropian dështuan gjatë një samiti që të pajtohen për këshillë të përbashkët rreth kësaj vaksine, ndërsa Agjencia Evropiane e Ilaçeve tha se shtetet duhet të vendosin rregulla veç e veç.