Edhe një deputete e LDK-së nuk ka nënshkruar mocionin për rrëzimin e Qeverisë
Përveç Vjosa Osmanit, Haxhi Avdylit e Ardian Shalës as deputetja Valentina Bunjaku-Rexhepi nuk e ka nënshkruar mocionin për rrëzimin e Qeverisë Kurti.
Këtë e ka konfirmuar vet deputetja, Bunjaku-Rexhepi.
Ajo ka thënë se nuk ka dashur të nënshkruar asnjë mocion pa u konsultuar me degën në Gjilan, teksa ka shtuar se do të vendos sonte nëse do të votoj pro ose jo.
“Nuk e kam nënshkruar mocionin sepse duhet fillimisht të konsultohem me degën. Besoj se sonte do të konsultohem me degën dhe mandej do të vendos” , ka thënë Bunjaku-Rexhepi për Insajderin.
Në mbledhjen e sotme të LDK-së ka munguar edhe deputeti Fatmir Rexhepi. Teksa, ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit Lumir Abdixhiku, nuk ka pranuar të flas se cili është qëndrimi i tij lidhur me inicimin e mocionit për rrëzimin e Qeverisë.
Ai u pyet edhe për atë se cili ka qenë qëndrimi i tij gjatë mbledhjes së kryesisë.
“Sot edhe një herë po iu rikujtoj jemi për qytetarët. Ju lus për mirëkuptim që të na leni të fokusohemi tek kjo”, tha ai gjatë konferencës së përbashkët me ministrin nga radhët e VV-së, të Shëndetësisë, Arben Vitia.
Lidhja Demokratike e Kosovës veç ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për rrëzimin e qeverisë, deri më tani ka siguruar nënshkrimet e AAK-së e Nismës Socialdemokrate./FaktePlus