Edhe nëntë vite kredi, Trafiku Urban planifikon t’i blejë edhe 30 autobusë të rinj (VIDEO)
Ndërmarrja Publike “Trafiku Urban në Prishtinë”, ka në plan që të blejë edhe 30 autobusë të rinj. Kjo për shkak të pamjaftueshmërisë për të mbuluar të gjitha linjat dhe t’u përgjigjet kërkesave të qytetarëve, të cilët po kërkojnë që të shtohet numri i autobusëve, shkruan FaktePlus.
Kështu ka thënë në një intervistë për FaktePlus, kryeshefi ekzekutiv i “Trafikut Urban në Prishtinë”, Lulzim Rexhepaj.
“Sigurisht se kryeqyteti, kryeqendra ka nevojë edhe për më shumë autobusë. Në planet tona strategjike kemi që flotën tonë ta kompletojmë me 80 autobusë, pra mendojmë që nga viti i ardhshëm, nëse bëjmë buxhet, shpresojmë që të fillojmë edhe blerjen e autobusëve të tjerë”, ka thënë ai.
Por, drejtori thekson se kjo mund të ndodhë vetëm nëse sigurojnë buxhet.
“Kjo iniciativë mund të realizohet prapë me mbështetjen e komunës për marrjen e kredisë, do të thotë gjithsesi që dikush duhet të garanton për neve si ndërmarrje publike. Ky projekt që është realizuar deri më tani me blerjen e 51 autobusëve është mundësuar nga mbështetja e madhe e Komunës së Prishtinës me garancionin e sovranitetit që i është dhënë BERZH-it, dhe ata pastaj e kanë dhënë kredinë . Mendojmë, në të njëjtën mënyrë që të hyjmë në marrëdhënie kontraktuale edhe për 30 autobusë të tjerë”, ka deklaruar Rexhepaj për FaktePlus.
Ndërmarrja “Trafiku Urban” në vitin 2016 kishte marrë kredi prej 10 milionë eurove nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), për blerjen e 51 autobusëve të rinj në Prishtinë.
Garantues i parë i kredisë ishte Komuna e Prishtinës. Në fillim të vitit 2017 në Prishtinë kishin arritur 30 autobusët e parë, kurse në shtator të vitit 2018, edhe 21 autobusët e tjerë.
E, lidhur me këtë kredi Rexhepaj pohon se vitin e parë e kanë paguar gjithë këstin, ndërsa kanë edhe nëntë vite të tjera, për çka deklaron se janë në gjendje të mirë sa i përket pagesave.
“Mund të themi se jemi në gjendje të mirë. Të hyrat nga qarkullimi, sepse pagesa bëhet me kilometra dhe këto të hyra që i marrin nga Komuna e Prishtinës për transportin publik që e ofrojmë për qytetarët, këto të hyra na mjaftojnë për shpenzimet e brendshme operative dhe për këstet e kredisë, pra e konfirmojmë edhe tani se kredinë e autobusëve ne jemi duke e paguar vet”, ka thënë ai.
Ndërsa, duke pasur parasysh shumën e kredisë që duhet t’i paguhet BERZH-it, Rexhepaj ka thënë se pavarësisht kësaj, nuk kanë aspak probleme me pagat e punëtorëve.
“Jo nuk kemi probleme aspak. Mund të konfirmoj se pagat e punëtorëve transferohen me datën 1 të çdo muaji”, ka deklaruar Rexhepaj.
Madje, ka thënë se gjatë kësaj kohe është rrit edhe numri i punëtorëve duke u bazuar në kërkesat e administratës.
Rexhepaj shton se në kuadër të rritjes së përgjegjësisë ndaj qytetarëve kanë krijuar një sistem për pranimin e ankesave dhe trajtimin e tyre, duke treguar saktësisht se cilat janë ankesat dhe kërkesat e tyre.
“Nuk do të thotë që kemi vazhdimisht ankesa, kemi edhe kërkesa, paraqitje të shqetësimeve, e në disa raste ka edhe propozime dhe gjitha këto mundemi me i përmbledh në disa grupe ku qytetarët kërkojnë të kenë autobusë më tepër, frekuentimi, pra linja, të rritet numri i qarkullimit, në disa raste kërkojnë ndonjë orar tjetër, në disa raste që është shumë e arsyeshme kërkojnë të vendosen shenja për vendndalje të autobusëve apo të ndërtohen prioritet që ende nuk janë kryer, por Komuna e Prishtinës sapo e ka nënshkruar kontratën me kontraktuesin i cili do të fillojë ndërtimin e pritoreve me çka do të jetë një lehtësim i madh edhe për neve si ndërmarrje publike që japim shërbim të transportit publik”, ka pohuar Rexhepaj për FaktePlus.
“Trafiku Urban” kishte marrë kredinë prej 10 milionë eurove nga BERZh-i në afat prej 10 viteve, për ta paguar me dy këste në vit me nga 500 mijë euro, ndërsa marrëveshja për blerjen e autobusëve ishte lidhur me kompaninë çeke ‘Iveco’./FaktePlus