Edhe gjatë pandemisë rritet numri i veteranëve të UÇK-së
Rritja e numrit të përfituesve nga skema e transfereve sociale për veteranët e luftës të ish- Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i ka kushtuar shumë shtetit të varfër të Kosovës. Vetëm nga muaji mars kur edhe janë shfaqur rastet e para me koronavirus në Kosovë, kategoria e veteranëve ka marrë më shumë se 25 milionë euro nga buxheti i shtetit.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës me okupatorin mori fund në vitin 1999 dhe atë pas ndërhyrjes së forcave të NATO-s. E në këtë luftë çlirimtare, disa me të vërtetë luftuan, por një pjesë e atyre që sot gëzojnë statusin e veteranit dyshohet se as që ishin në Kosovë kur ndodhi lufta.
Në fakt numri i veteranëve të luftës, regjistrimi i të cilëve filloi disa vite më parë, ka qenë e mbetet temë debati në Kosovë, deri sa edhe Prokuroria po vazhdon hetimet nën dyshimet se numër i madh personash përfitojnë paligjshëm pensionin e veteranit nga shteti.
E në këtë kohë të pandemisë kur u ‘dobësua’ edhe buxheti i Kosovës, veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë marrë pagat e tyre pa ndërprerje.
Numri i veteranëve nga muaji janar 2020 e deri në muajin qershor 2020 nuk ka qenë i njëjtë, pasi ka lëvizur nga muaji në muaj.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka siguruar të dhënat nga Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale, që tregojnë për paratë që janë dhënë për këtë kategori që nga fillimi i vitit 2020.
Vetëm në muajin janar për 38 mijë e 156 veteranët e UÇK-së janë dhënë 6 milionë e 424 mijë e 353 euro.
Një rritje të numrit ka pasur një muajin shkurt dhe rritja është për 48 veteranë.
Janë gjithsej 38 mijë e 204 veteranë që përfituan pensione në muajin shkurt të këtij viti. E për këtë muaj ish-luftëtarët e UÇK-së i kushtuan buxhetit të shtetit rreth 6 milionë e 404 mijë e 977 euro.
Nga muaji shkurt në muajin mars pati vetëm një rast të shtimit në numrin e veteranëve,
Për muajin mars, kur edhe filloi gjendja emergjente me mbyllje dhe izolim të të gjitha aktiviteteve madje edhe për lëvizshmëri të njerëzve për shkak të pandemisë, janë 38 mijë e 205 veteranë që u paguan hiq më pak se 6 milionë e 399 mijë e 265 euro.
E në muajin prill pati një rritje më të madhe. Në fakt janë 67 veteranë më shumë gjatë prillit. Numri total i atyre që përfituan pensione në emër të statusit të veteranit për muajin prill është 38 mijë e 272, që buxhetit të shtetit i kushtuan 6 milionë e 407 mijë e 829 euro.
Në muajin maj pati një rënie të lehtë. Në fakt janë 7 veteranë më pak. Në këtë muaj nga buxheti i Kosovës u morën hiq më pak se 6 milionë e 406 mijë e 770 euro për 38 mijë e 265 veteranë.
Edhe në muajin qershor ka pasur rënie të numrit të përfituesve nga skema e transfereve sociale për veteranët e luftës së ish- Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në muajin qershor janë dhënë 6 milionë e 401 mijë e 964 euro për saktësisht 38 mijë e 218 veteranë.
Në total për gjashtë muaj të këtij viti, veteranët i kushtuan shtetit të Kosovës saktësisht 38 milionë e 445 mijë e 160.50 euro.
Kujtojmë se Prokuroria në aktakuzën e parë të ngritur gjatë vitit të kaluar, për rastin e njohur si “Veteranët” kishte përfshirë hiç më pak se 20.238 emra që dyshohet se marrin kundërligjshëm pension të veteranit të luftës së UÇK-së.
E ndaj këtyre ‘veteranëve’, së fundmi Organizata e Veteranëve të Hasit ka kërkuar nga Institucionet e vendit që të largohen mijëra veteranë të rrejshëm në këtë anë.
Sipas tyre gjatë kohës së luftës, në këtë zonë kanë qenë vetëm 300 pjesëtarë të Ushtrisë, ndërsa pas luftës janë bërë rreth 4 mijë./FaktePlus
Mbi 25 milionë euro për veteranët e UÇK-së në kohë të pandemisë