Edhe 2019 pa sigurime shëndetësore, Fondi po punon për fillimin e mbledhjes së premiumeve
Tashmë kanë kaluar 5 vite që nga miratimi i Ligjit për Sigurime Shëndetësore, por ky ligj ende nuk është zbatuar. Po ashtu edhe pse është formuar Fondi për Sigurime Shëndetësore, që për qëllim ka mbledhjen efektive të mjeteve financiare për ofrimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor, bashkimin e riskut dhe blerjen e shërbimeve nga ofruesit, megjithatë ky institucion ende nuk është funksionalizuar tërësisht. Nga FSSHK-ja thonë se ende nuk ka një koncept të qartë se si do të mblidhen premiumet e çfarë shërbimesh do të jepen, ndërsa nga Shoqata e Pacientëve theksojnë se problemi ekziston tek mungesa e një sistemi të integruar të Sistemit Informativ Shëndetësor, si dhe mungesa e resurseve profesionale.
Po ashtu mbledhja e premiumeve (shuma mujore, tremujore ose vjetore për sigurim shëndetësor që paguhet në Fond) ende nuk ka filluar. Përderisa nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës konsiderojnë se nuk ka një koncept të qartë se si do të mblidhen premiumet e çfarë shërbimesh do të jepen, nga Shoqata e Pacientëve thonë që problemi ekziston tek mungesa e një sistemi të integruar të Sistemit Informativ Shëndetësor, problemet më ligj e mungesën e resurseve profesionale.
Edhe pse kanë kaluar 5 vite e gjysmë nga miratimi në Kuvend i Ligjit për Sigurime Shëndetësore, ky ligj ende nuk është zbatuar. Fondi për Sigurime Shëndetësore si institucion që ka për detyrë mbledhjen e premiumeve, bashkimin e riskut dhe blerjen e shërbimeve nga ofruesit ende nuk ka filluar me mbledhjen e premiumeve. Ata për FaktePlus thonë se janë duke punuar shumë që të përafrohen për fillimin e këtij procesi.
“Jemi duke punuar shumë që të përafrohemi për fillimin e mbledhjes së premiumeve respektivisht zbatimin e këtij ligji”, tha Fatmir Plakiqi, drejtor i këtij institucioni.
Sa i përket shërbimeve që do të jepen, nga Fondi thanë se janë në finalizim të listës së shërbimeve e mandej do të punohet në kostimin e tyre.
“Jemi në finalizim të listës së shërbimeve, mandej do të punohet në kostimin e tyre”, deklaroi Plakiqi.
E akterë pjesëmarrës në organizimin e tryezave e dhënies së ideve për këtë çështje ka qenë edhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK).
Drejtori i FSSHK-së, Blerim Syla thotë se sigurimet duhet t’i përshtaten ekonomisë së vendit dhe mekanizmave të kontrollit.
Sipas tij, asnjëra nga partitë politike nuk e ka të qartë se çfarë sigurimesh shëndetësore do të ketë në Kosovë.
Ai deklaron se nuk ka një koncept të qartë se si do të mblidhen premiumet e çfarë shërbimesh do të jepen.
“Sipas meje, asnjëra prej partive nuk e ka një koncept të qartë se çfarë sigurime do të bëjmë. Edhe pse në letër ai sigurim është sipas konceptit të Gjermanisë më shumë, këta nuk kanë dit me përshtat sipas rrethanave dhe mundësive ekonomike të cilat i ka Kosova. Si e tillë nuk kanë mujt me nxjerrë as mekanizma të cilat kishin me i rujt ato para të cilat do të mbledhen. Pra, këto nuk e kanë një koncept të qartë se si do të mblidhen paratë, çfarë shërbime do të jepen dhe si do të mbulohen të gjitha ato shërbime me ato para që do të mbledhen”, ka thënë Syla për FaktePlus.
Sipas tij, çështja e sigurimeve shëndetësore do të jetë sfidë për secilën parti që vjen në pushtet.
“Unë konsideroj që ka me qenë sfidë e madhe, pavarësisht se këta po thonë që do të vijnë ekspertët gjermanë. Këtë nuk mund ta bëjë vetëm Ministria e Shëndetësisë, kjo duhet të bëhet në bashkëpunim edhe me ministritë tjera si ajo e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe ajo e Financave. Andaj, dëmi është jashtëzakonisht i madh me mosfutjen e këtij sigurimi shëndetësor”, shtoi ai.
Mosmiratimi i këtij ligji, sipas Sylës, e dëmton sistemin shëndetësor në tri aspekte: Mënyrën e financimit, çështjen e përformancës, kontrollin e shërbimeve dhe blerjen e materialit.
Kryesindikalisti i shëndetësisë shprehet se është mëse e domosdoshme të ketë një sistem të mirëfilltë të sistemit informativ shëndetësor.
“Aspekti i parë është mënyra e financimit. Ne si federatë kemi thënë që do të jepet ndihmë në financimin e sistemit shëndetësor. Aspekti i dytë është puna e performancës ku sipas kësaj do të mbahet performanca e punëtorëve shëndetësorë dhe aspekti i tretë që është shumë i rëndësishëm është kontrolla e shërbimeve por edhe dhe blerjes së materialit. Ju e dini që shpesh kemi pas afera dhe nëse do ta kishim pasë një sistem të mirëfilltë informativ që do t’i ndihmonte sigurimit shëndetësor, atëherë edhe aferat korruptive do të kishin me qenë më të vogla”, ka potencuar Syla.
Ndërsa nga Shoqata e Pacientëve të Kosovës kanë thënë për FaktePlus se ekzistojnë disa probleme sa i përket çështjes së sigurimeve shëndetësore.
Sipas tyre, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore ka mungesë enorme të stafit; Më shumë se gjysma e popullatës nuk ka qenë asnjëherë për “ta vërtetuar librezën e shëndetësisë”; Nuk ka një Sistem të Integruar të Sistemit Shëndetësor; Ligji për Sigurime Shëndetësore nuk e rregullon çështjen e bashkimit të riskut dhe shumë pak e trajton çështjen e blerjes së shërbimeve; Mungojnë rregullore të tilla si ajo për kontraktimin e barnave, çmimin e barnave me shumicë, kushtet e pagesës në fond, evidentimin e të siguruarve etj si dhe ka mungesë të resurseve profesionale në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Sipas tyre, duhet të fillohet me kontraktimin e shërbimeve shëndetësore në vend që të bëhet mbledhja e premiumeve.
Ky proces sipas shoqatës mund të bëhet duke u funksionalizuar Fondi, i cili duhet ta ketë një status më të qartë ligjor.
“Duhet që buxhetet e dedikuara për shërbime shëndetësore që kontraktohen nga Fondi, të barten po tek Fondi; Reforma në mënyrën e pagesës të fillojë në mënyrë të pjesshme në mënyrë që të ulen rreziqet nga situatat e papritura; Të bëhet inkurajimi për pagesën e premiumeve përmes blerjes së barnave të nevojshme nga premiumet e Qeverisë; Të përpilohet një plan për përgatitje dhe fillim të implementimit të skemës e më pas ai të zgjerohet; Të përfundojë procesi i licencimit të institucioneve shëndetësore; Të rishikohet statuti i SHSKUK-së; Të funksionalizohet Sistemi i Integruar i Informimit Shëndetësor e institucionet shëndetësore të dorëzojnë raporte të rregullta në IKSHP”.
Kujtojmë që mbledhja e premiumeve ishte planifikuar të niste në janar të vitit 2017, por kjo nuk kishte ndodhur.
Edhe në janar të këtij viti, ministri Ismaili kishte thënë se ky vit do të jetë vit i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, proces që sipas tij do të përfundonte në fund të vitit.
“Vitin e kaluar kam thënë se 2019-ta do të jetë viti i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Në vizitën që pata sot në këtë institucion, unë i sigurova edhe një herë për mbështetjen time të plotë në punën e tyre. Së bashku me drejtorin e Fondit, Fatmir Plakiqin, këtë vit do të orientojmë të gjitha kapacitetet tona që fundi i vitit të na gjejë me funksionalizimin e plotë të Fondit. Nga gjysma e dytë e këtij viti, për herë të parë në Kosovë, do të fillojmë edhe me kompensimin e barnave jashtëspitalore, si hapin e parë konkret drejt qëllimit final: sigurimet shëndetësore. #BashkëeNdreqim”, kishte shkruar në Facebook Uran Ismaili.
Ditë më parë ministri Ismaili bëri të ditur që disa ekspertë gjermanë do të vinin në janar të vitit të ardhshëm në Kosovë për ta ndihmuar në implementimin e skemës së sigurimeve shëndetësore.
“Një ditë jashtëzakonisht e mirë dhe e rëndësishme për shëndetësinë kosovare. Tani po nisim bashkëpunimin konkret me Gjermaninë për të funksionalizuar Fondin e Sigurimit Shëndetësor, projekt ky që buron nga marrëveshja e nënshkruar në korrik me ministrin gjerman Spahn”, ka thënë ministri Ismaili.
Sipas tij. projekti do të ndahet në dy faza, e para nga të cilat do të fillojë në janar të vitit 2020.
Bashkëpunimi në mes të Fondit të Sigurimit Shëndetësor të Kosovës dhe Fondit të Sigurimit Gjerman, AOK, i cili do të nis menjëherë në janar të vitit 2020, është një rezultat i një memorandumi të përbashkët të mirëkuptimit që u nënshkrua në korrik të këtij viti./FaktePlus