Edhe 200 banesa ende të uzurpuara, priten vendimet e gjyqit për të larguar uzurpatorët
Tashmë po mbushen 20 vite nga mbarimi i luftës në Kosovë dhe ende në kryeqytet janë me qindra prona, respektivisht banesa të uzurpuara nga persona të ndryshëm. Zyrtarë nga Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) thonë se janë në pritje të vendimeve nga gjykatat kompetente në mënyrë që të ndërmerren aksione për largimin e uzurpatorëve.
Tri vite me parë pati disa aksione të shtetit për lirimin e pronës, respektivisht banesave pasi gjykatat kompetente vërtetuan se janë të uzurpuara dhe ato duhet t’i kthehen pronarit legjitimit, Ndërmarrjes Publike Banesore.
Nga këto aksione, NPB kishte arritur që t’i lirojë vetëm 24 banesa nga gjithsej 200 sosh që konsiderohen se janë të uzurpuara.
Kjo ndërmarrje thekson se janë të identifikuara tri lokacione ku janë të uzurpuara këto banesa.
Rajmonda Ahmetaj nga NPB, i ka thënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus se vetëm në lagjen “Dardania”, janë 131 banesa të uzurpuara, të cilat kanë qenë në përfundim e sipër gjatë viteve 1999.
“Ndërmarrja Publike Banesore ka përafërsisht rreth 200 banesa në pronësi, prej të cilave fatkeqësisht shumica janë ende të uzurpuara. Në lagjen Dardania, më specifikisht në adresën Dardania SU 9/4, gjinden 131 banesa të uzurpuara, të cilat kanë qenë në përfundim e sipër gjatë vitit 1999, mirëpo si pasojë e ngjarjeve të asaj kohe ndërtimet janë ndërprerë dhe pas luftës ato janë uzurpuar”, ka thënë Ahmetaj, shkruan FaktePlus.
Ndër të tjera Ahmetaj tregon se NPB ka iniciuar procedurat gjyqësore për lirimin e këtyre banesave dhe se janë në pritje të vendimit gjyqësor.
“Edhe pse deri më tani janë liruar 24 banesa, Ndërmarrja Publike Banesore ka iniciuar procedurat gjyqësore për lirim të të gjitha banesave dhe pasi që jemi të obliguar të presim për vendim gjyqësor, nuk mund të vazhdojmë me lirimin dhe rindërtimin e tyre”, ka thënë ajo.
Përveç lagjes “Dardania”, edhe në lagjen “Bregu i Diellit”, janë përafërsisht 50 banesa të uzurpuara, të cilat po ashtu janë në procedurë gjyqësore.
Edhe në rrugën “Eqrem Çabej”, NPB ka tri banesa në posedim, ndërsa 11 të tjera konsiderohen se janë të uzurpuara.
Prej 11 banesave të uzurpuara për 8 është vendosur në dobi të NPB-së, mirëpo nga kjo ndërmarrje thonë se janë në pritje të ekzekutimit të vendimit gjyqësor për lirimin e tyre, ndërsa për 3 banesat tjera ende nuk është marrë vendim gjyqësor.
Nga NPB gjithashtu kanë bërë të ditur për FaktePlus se ka edhe banesa e prona të tjera që gjinden në lagje të ndryshme të Prishtinës e që janë të uzurpuara.
NPB konsideron se në këtë proces janë bërë keqpërdorime të ndryshme, ku si pasoj pronësia e disa banesave iu është dhënë personave të ndryshëm.
“Ka banesa dhe prona të tjera që gjinden në lagje të ndryshme të Prishtinës, të cilat potencialisht janë prona të mundshme të Ndërmarrjes Publike Banesore, mirëpo për shkak të keqpërdorimeve pronësia iu është dhënë personave të ndryshëm. Për këto janë iniciuar procedura gjyqësore dhe jemi në pritje të konfirmimeve të të drejtave pronësore të gjykatave kompetente, që këto banesa t’i kthehen Ndërmarrjes Publike Banesore”, janë shprehur nga kjo ndërmarrje.
Ndryshe gjatë vitit 2016 ishte publikuar edhe një listë e uzurpatorëve të pronave shoqërore nga ana e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), kjo listë edhe nxjerri në pah mosfunksionimin e ligjit në Kosovë për vite të tëra lidhur me çështjen e uzurpimeve.
Për lirimin e pronave të uzurpuara pati bërë thirrje dhe premtime, edhe kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Sipas tij, asnjë uzurpator nuk do të lejohet që të qëndrojë në pronat e huaja.
“Më lejoni të theksoj se asnjë uzurpator nuk do të lejohet të qëndrojë në prona të huaja. Por në të njëjtën kohë ka dhe një të drejtë universale veçanërisht kur ka të bëjë me fëmijët. Asnjë forcë e as forca e pushtetit nuk është mirë të abuzohet mbi familjarët dhe me njerëz hallexhinj”, pati thënë Veseli, në kohën kur Policia kishte marrë aksion për lirimin e këtyre banesave./FaktePlus