E tmerrshme: Katër të vdekur në një spital irakian për shkak të mungesës së oksigjenit
Kur familjarët e pacientëve me koronavirus në spitalin universitar “Al-Hussein” në Nassiriya morën vesh se spitali ka mbetur pa rezerva të oksigjenit, ata menjëherë bënë panik. Kur dërgesa e re arriti, tashmë katër persona kishin vdekur.
Shumë njerëz kanë publikuar në rrjetet sociale pamje të familjarëve të shqetësuar për ta vënë në pah mungesën vdekjeprurëse të materialeve mjekësore dhe stafit në shumë spitale të Irakut, shkruan “France24″.
Përdoruesit e rrjeteve sociale e akuzuan Ministrinë e Shëndetësisë për neglizhencë dhe menaxhim të dobët të pandemisë së koronavirusit. Provinca ku shtrihet qyteti Nassiriya është një ndër epiqendrat e përhapjes së virusit në Irak.
Gjatë një konference për gazetarë, drejtuesit e spitalit kërkuan nga guvernatori provincial dhe Ministria e Shëndetësisë që të ofrojnë përkrahje emergjente, përfshirë stafin dhe materialet shtesë.
Pas këtij incidenti të tmerrshmë, drejtori i Shëndetësisë në provincën Dhi Qar konfirmoi se ministri irakian i Shëndetësisë, Hassan Tamimi, i ka dërguar dhjetë tonë oksigjen në spitalin “Al-Hussein”. Ministria e Industrisë i ofroi shtatë tonë të tjerë oksigjen.
Në këtë provincë, më shumë se 2,000 persona janë diagnostikuar me koronavirus që nga shkurti dhe 123 kanë vdekur.