E përjashtuan se luante me letra, Donis Avdijaj e nis nga Seria B
I kishte të gjitha mundësitë për të qenë një nga lojtarët më të suksesshëm të kombit shqiptar, por dhe të Gjermanisë. Donis Avdijaj shihej si një nga lojtarët më premtues të Schalkes. Ishte pjesë e rëndësishme e kësaj skuadra, luante për Gjermaninë, mori një kontratë profesioniste dhe një klauzolë prej 49 milionë eurosh dhe i duhej vetëm të ulte kokën dhe të punonte fort.
Nuk e bëri, problematik deri në palcë dhe gjermanët humbën durimin me renelin shqiptar. Cilësitë nuk i mungonin, por problemi i qëndronte në kokë. U mendua se do të rigjente veten te Willem II në Holandë. Pjesa e parë e sezonit ishte mjaft e mirë duke shënuar 8 gola dhe dha 6 asiste në 18 ndeshje, por sjellja nuk i ndryshoi.
Mediet holandeze kanë zbuluar se 22-vjeçari është përjashtuar për dy arsye. Fillimisht ai u largua nga grumbullimi pa leje, ndërsa vulën ia vuri fakti se Avdijaj ishte pjesë e një grupi lojtarësh që luanin letra deri vonë në hotel dhe bënin zhurmë.
Kthimi i tij nga Gjermania për fazën përgatitore nuk ishte i mirë, pasi lojtari i Përfaqësueses së Kosovës u shfaq në një formë mjaft të keqe sportive. Nisur nga problemet e tij me disiplinën dhe formën e keqe, drejtuesit i treguan derën.
Avdijaj mund të luajë shansin e fundit të karrierës tani. Shqiptari po provon veten te skuadra e Pescarës. Ekipi italian që militon në Seria B ka pranuar lojtarin në gjirin e vet. Ata shpresojnë te aftësitë e tij sportive, por dhe te fakti që mund të ketë mësuar nga gabimet. Memushaj është aty, mund t’ia tërheq veshin! /FaktePlus