E kthyera nga Siria: E ndjej veten shumë fajtore për veprën që e kam bërë
E akuzuara për pjesëmarrje në grupin terrorist ISIS, Ajnisha Abazi, e ka pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar të mbajtur të enjten në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja speciale, Fikrije Fejzullahu, e akuzuara tha se ndihet fajtore për veprën penale e cila i ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“E pranoj fajësinë. Kërkoj falje. E ndiej veten shumë fajtore për këtë vepër që e kom bo. Falënderoj shtetin e Kosovës që ka bo të na kthej në vendin tonë, tani jemi shumë mirë”, tha e akuzuara Abazi.
Ky pranim fajësie nuk është kundërshtuar nga prokurorja Fejzullahu, e as nga mbrojtësja e të akuzuarës, avokatja Sabrie Krasniqi dhe më pas është aprovuar nga gjykatësja Valbona Selimaj, me arsyetimin se pranimi ishte bërë vullnetarisht nga e akuzuara, pa presion dhe se gjente mbështetje në shkresat e lëndës.
Avokatja Krasniqi, i ka propozuar gjykatës që me rastin e shqiptimit të dënimit të mbrojturës së saj ti jepet një dënim sa më i butë.
Shpallja e aktgjykimit në këtë çështje penale do të bëhet më 24 shkurt 2020, në ora 09:20.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 27 janar 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj Ajnisha Abazi për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143, paragrafi 2 të KPRK-së.
Sipas aktakuzës, ajo akuzohet se më 23 nëntor 2015, me vetëdije të plotë së bashku me bashkëshortin e saj, Hysri Selimi, dhe vajzën e kanë lëshuar vendbanimin e tyre të përhershëm në Republikën e Kosovës dhe përmes Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”, kanë udhëtuar për në Stamboll, ku përmes Republikës së Turqisë kanë hyrë në shtetin Islamik në Siri, me qëllim që t’i bashkëngjiten organizatës terroriste ISIS.
Në aktakuzë thuhet se nga kjo organizatë është financuar rregullisht me një shumë të hollash prej 50 euro në muaj, organizatë e cila është shpallur organizatë terroriste nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.