E konfirmon Dogana: Dyshime për cilësinë, “Hib Petrolit” i kthehen mbrapsht maunet me derivate
Kompanisë për shitjen e derivateve “HIB Petrol” i janë ndaluar në pikën kufitare dhe mandej i janë kthyer mbrapsht disa maune me derivate. Nga Dogana e Kosovës tregojnë se kthimi i tyre është bërë për shkak të dyshimeve mbi cilësinë e derivateve. E në kompaninë “Hib Petrol” nuk kanë pranuar të flasin për këtë rast.
Dy maune me derivate (benzinë) me datën 25 të muajit të kaluar nuk kanë mundur ta kalojnë pikën kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Këto ngarkesa me derivate që ishin nisur drejt Kosovës nga kompania “Hib Petrol” nuk kanë arritur që ta kalojnë pikën kufitare në Vermicë, pasi cilësia e tyre ishte e dyshimtë.
Zyrtarë nga Dogana e Kosovës kanë treguar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se me datën 25.05.2019 ka ndaluar 2 autobote me benzinë.
“Sa i përket kësaj çështje me duhet të ju informoj se dogana ka ndaluar 2 autobote me benzinë të deklaruara me 25.05.2019 për zhdoganim. Rezultati i analizave ka rezultuar jo konform në dy parametra”, thuhet në përgjigjen e Doganës.
Në këtë institucion kanë treguar se me datën 29.05.2019 është lëshuar aktvendim për kthim prapa në Shqipëri.
“Kjo është arsyeja që me date 29.05.2019 është lëshuar aktvendim për kthim prapa në Shqipëri. Autobotet janë kthyer prapa. Kjo është një procedurë e zakonshme cila ndodhë nëse konstatohet mos konformiteti me parametrat”.
Redaksia e FaktePlus nga dita e premte ka kërkuar përgjigje për këtë rast edhe nga kompania “Hib Petrol”, por kjo e fundit deri më tash nuk kanë dhënë asnjë shpjegim.
Kujtojmë nafta apo siç quhet ndryshe ari i zi, është ndër produktet më të kërkuara dhe më fitimprurëse edhe në Kosovë. E operatorët ekonomik që merren me këtë punë në Kosovë, importojnë qindra milionë litra të derivateve nga vende të ndryshme të botës.
Duhet theksuar se çmimi i derivateve të naftës në Kosovë është ngritur në vazhdimësi. Aktualisht çmimi në shumicën e pompave është 1.15 deri 1.17 euro cent për një litër naftë, ndërsa për një litër benzinë nga 1.17 deri në 1.18 euro cent./FaktePlus