E hapën dasmën me një këngë serbe, ‘Luftën e Nuseve’ e fiton çifti nga Pogradeci
Ka përfunduar “beteja” mes tre çifteve shqiptare në “Lufta e Nuseve”. Tri dasmat e organizuara nga Ertiti e Erjola, Egla dhe Luli e së fundmi Anisa e Arditi janë kurorëzuar në elegancë e bukuri, por çmimi i fituesit i ka shkuar çiftit që e hapi dasmën me një këngë kontroverse.
Lufta e Nuseve u fitua këtë episod nga Erti e Erjola. Dasma e tyre u hap me një këngë mjaft të njohur serbe, “Lane Moje” e këngëtarit serb Jelko Joksimoviç. Erti e kishte shqipëruar dhe modifikuar disi këngën dhe ka qenë vetë ai që e ka kënduar atë teksa kërcente me nusen e tij.
Në parkun e Drilonit, të trija nuset kanë pritur me sytë e fashuara se kush nga tre dhëndrit do të vinte për të sjellë lajmin e fitores. Me të hequr fashot nga sytë, ai që është parë në varkë ka qenë Erti. Çifti fitoi një udhëtim përrallor në Antalya Turqi për 7 ditë, për një muaj mjalti të paharrueshëm. Pikët e tre nuseve për njëra- tjetrën nxorrën fituese Ertin dhe Erjolën. Dasma e çiftit u vlerësua me pikë nga vetë konkurentet dhe votat e Anisës e Eglës kurorëzuan si fitues çiftin nga Pogradeci.
Momentet nga dasma e tre nuseve
Lufta e Nuseve nisi me dasmën e Anisës dhe Arditit, për të shkuar tek ceremonia e Eglës dhe Lulit. Në fund u shfaq dasma e fituesve të këtij edicioni.
Por si janë takuar me njëri tjetrin tre çiftet?
Historia e Anisës është jo e zakonshme. Babai i saj, si një gjirokastrit i vërtetë (origjina e Anisës është gjirokastrite), vendosi që t’i rrisë dhe edukojë fëmijët e tij në Itali. Vetë ai merrej me biznes ndaj gocën dhe djalin ua besoi prindërve të tij të cilët shkuan bashkë me nipin dhe mbesën në Pescara. Por Anisa e tejkaloi edhe të atin në ambicie:). Ajo u shkollua deri në të mesmen në Itali por zgjodhi të ndiqte ëndrrën e saj, studimet në Londër pèr ekonomi!
Fill pas studimeve u punësua nè një kompani të njohur auditimi në Milano. Këtu ra në kontakt për herë të parë me Arditin…
Luli jetonte dhe punonte prej më shumë se 10 vitesh në Itali por mendjen për të gjetur nuse e kishte në Shqipëri. Një ditë, në telefonin e tij mbërrin një foto nga kushërira e tij nga Tirana…
Kështu mbërriti për herë të parë Egla në botën e tij. Ishte komshie dhe shoqe me vajzën e tezes.
Qysh nga ai moment, në mendje kishte vetëm të gjente një rast e të kthehej. Orët në ofiçinën mekanike ishin të gjata dhe planet për ta bërë për vete Eglën ngatërroheshin me kamiot apo freksionet e automjeteve në ofiçinë…
Deri sa momenti erdhi. Luli sajoi 10 ditë dhe u kthye…
Takimi i parë i Ertit me Erjolën nuk shkoi edhe aq mirë… Kështu na tregon Erjola. Por edhe Erti “Mysybet” na tha. “E gjatë shumë”. Dikush i propozoi që takimin tjetër të vishte këpucë me taka të larta. Por Erti është “kokënoçkë” ka krenarinë e tij që nuk e lë të dorëzohet e as të veshë takat e larta. Arma e tij e fortë është çiltërsia, humori dhe gjallëria.