E frikshme, gati çdo ditë zhduket një person në Kosovë
“Edhe një person i zhdukur në…”, janë titujt e lajmeve që po zënë vend çdo ditë në mediat e Kosovës. E shifrat për këtë dukuri janë alarmante. Që nga fillimi i vitit të kaluar (2018) e deri më 17 nëntor të këtij viti (2019), në Policinë e Kosovës janë raportuar gjithsej 458 raste të personave të zhdukur.
Nuk kalohet ditë që në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës nuk tregohet për një apo edhe dy persona të zhdukur. Prej gjithë rasteve, 247 janë raportuar gjatë vitit të kaluar, ndërsa për 11 muajt e këtij viti (nga janari deri në nëntor), janë raportuar 211 raste.
Disa raste që, fillimisht, në Polici kanë qenë të raportuar si persona të zhdukur, më pas përfundojnë në raste të trafikimit, e ndonjëhërë fatkeqësisht pas një kohe gjendet edhe të vdekur.
Ndërsa për zbardhjen e këtyre rasteve policia gjithmonë kërkon edhe ndihmën e qytetarëve.
“Lidhur me rastet “Person i zhdukur”, policia evidenton çdo rast që paraqitet në polici nga familjarë apo qytetarë të tjerë të cilët lajmërojnë se personi ose i afërmi i tyre nuk dihet se ku ndodhet. Në të gjitha rastet Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë punon intensivisht në gjetjen e personave të zhdukur”, thuhet nga Policia e Kosovës për FaktePlus.
Vetëm gjatë kësaj jave, në vend kanë ndodhur disa raste të zhdukjes, e në shumicën e këtyre rasteve, personat e zhdukur kanë qenë të gjinisë femërore.
Sipas policisë, në të shumtën e rasteve largimi i personave nga shtëpitë është bërë për shkaqe të ndryshme, e ka edhe prej atyre që janë larguar pasi që kanë pasur probleme shëndetësore.
“Në shumicën dërmuese të rasteve pas pak ditësh gjendet se ku është personi i zhdukur, pra shumë nga to janë raste të largimeve nga shtëpia për shkaqe të ndryshme pa lajmëruar familjarët. Në mesin e këtyre personave ka pasur edhe persona që kanë pasur probleme shëndetësore”, thuhet nga policia.
Nga policia pohojnë se edhe pse ende ka raste të shpeshta të rasteve të zhdukjes së personave, krahasuar me vitin e kaluar ka një zvogëlim të numrit të tyre.
“Policia, gjatë këtij viti (2019) për periudhën kohore janar e deri me datë 17.11.2019, për numrin e rasteve “persona të zhdukur” janë raportuar 211 raste, ndërsa gjatë 2018 kanë qenë të raportuara 247 raste”.
Ndërsa psikologët thonë se në secilin shoqëri ekzistojnë raste të zhdukjes së personave qofshin meshkuj apo femrave apo edhe të fëmijëve dhe ato ndodhin për shkaqe dhe rrethana nga më të ndryshmet.
Antigona Qenaj-Sejdiu thotë se fenomeni i zhdukjes së personave nga shtëpitë e tyre në Kosovë është një ngjarje traumatike ku janë të ndërlidhur shumë faktorë.
“Fenomeni i zhdukjes së familjarëve nga shtëpia është ngjarje shumë e rëndë dhe traumatike për personin e zhdukur por edhe për familjen. Arsyet e zhdukjes janë të shumta dhe të ndryshme dhe mund të përfshijnë sëmundje mendore, keq komunikim, keqtrajtim, dhunë në familje dhe të qenit viktimë e krimit. Ndërsa ekzistojnë rreziqe të qenësishme që përcjellin çdo ngjarje të zhdukjes, grupe specifike të popullsisë njihen si veçanërisht të ndjeshme ndaj fenomenit të zhdukjes”, ka thënë psikologia Qenaj-Sejdiu.
Sipas saj, kjo dukuri është e lidhur ngushtë edhe me moshën e personave të zhdukur.
Ndërsa psikologjia shpjegon se personat që janë më shumë të prirur për t’u zhdukur janë fëmijët dhe të rinjtë, ata që vuajnë nga një sëmundje mendore ose depresioni të moshuarit dhe ata që jetojnë me probleme psikike.
“Arsyet e zhdukjes shpesh lidhen direkt edhe me moshën e personit të zhdukur. Të rriturit kanë më shumë të ngjarë të renditen si persona të zhdukur për një kohë të gjatë, por sipas statistikave ndërkombëtare, megjithatë ka të ngjarë që të rinjtë të raportohen të zhdukur deri në 6 herë më shumë sesa personat e rritur”, tha ajo.
Sipas saj, kjo ndodh për shkak të faktorëve të moshës të cilët rrisin rrezikun e largimit nga shtëpia pasi që zënkat, mospajtimet dhe problemet me familjen janë fenomen i njohur për moshën e adoleshencës.
Sipas raporteve ndërkombëtare të policisë për persona të zhdukur të paraqitur në polici çdo vit 50% e tyre kanë të bëjnë me ata të moshës midis 13 – 17 vjeç, derisa në moshën e pleqërisë zhdukja në të shumtën e rasteve vjen si pasojë e problemeve të ndryshme mendore./FaktePlus