E dashura e ministrit britanik, lë burrin për të shkuar me të
Ministri i shkarkuar britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock po përpiqet të kthejë lidhjen sekrete me ndihmësen Gina Coladangelo, në një marrëdhënie të vërtetë, pretendonin sot miqtë e tij.
Ministri i turpëruar i qeverisë britanike pas videos së puthjeve në ambjentet e zyrave, besohet se ka lënë edhe ai gruan e tij Martha pas 15 viteve, dhe po jeton me të dashurën e fshehtë.
43 vjeçarja Gina, i ka dhënë fund dhe ajo martesës 12-vjeçare me milionerin Oliver Tress pas ekspozimit të lidhjes me Hancock.
Bashkëshorti i saj 54 vjecar Oliver, pronar i rrjetit të veshjeve dhe bizhuterive ‘Oliver Bonas’, thuhet se është “i tronditur” nga zbulimet shokuese, thonin dje familjarët e tij.
Gina ishte parë në fundjavë që ngarkonte sendet e saj personale në makinën €100,000 Audi, jashtë shtëpisë €4 milionëshe në Londër, pak pas daljes së lajmit të lidhjes me ish-shefin e saj Matt.
Një fqinj i ish-ministrit me banim në jugperëndim të Londrës, tha: “Gina e Matt po e provojnë seriozisht bashkë ndërsa Oliver ka mbetur i shokuar. Ata kishin shumë miq këtu dhe ne po përpiqem të kujdesemi për Olin”.
Në një tjetër zhvillim të skandalit, një nga avokatët më të vjetër në Britani, i dha të drejtë tabloidit ‘The Sun’ për ekspozimin e tradhtisë së Hancock brenda zyrave të qeverisë.
Lord Chancellor Robert Buckland tha: “Duke e përmbledhur këtë, them se është shumë e rëndësishme që ata që bëjnë rregullat, t’i respektojnë ato.”
Pak pas skandalit dhe zemëratës publike, ish-ministri Hancock njoftoi dorëheqjen e tij, por më vonë kryeministri Boris Johnson deklaroi se kishte qenë ai që e kishte shkarkuar, duke dashur të marrë meritat për vete.
Kryeministri tha: “Mora vesh për lajmin të premten dhe të shtunën kisha vendosur në post ministrin e ri të Shëndetësisë”.
Por kryeministria konfirmoi më vonë se Hancock kishte dhënë dorëheqjen.
Ndërkohë një debat është hapur në parlament për kamerat nga e cila erdhën imazhet.
Laburisti opozitar Chris Bryant tha: “Qevera tani thotë se kamera nuk ishte e fshehtë por dihej që ndodhej aty. Nëse kjo është e vërtetë, minsitri i Shëndetësisë duhet të jetë njeriu më budalla mbi tokë.”
Kryeministri gjithashtu refuzoi pretendimet ‘ekzotike’ se kamera e fshehtë mund të ishte vendosur aty nga ndonjë “shtet armik”.
Një zëdhënës i Johnson tha: “Kemi parë shumë spekulime për çështjen por nuk pranojmë asnjë prej tyre”.