Dyshohet për rrjedhje të informatave, ky ishte qëllimi i aksionit të sotëm të Doganës në veri të vendit
Dogana e Kosovës ka njoftuar se së bashku me Policinë e Kosovës kanë zhvilluar sot një aksion në tri lokacione në veri të vendit.
Sipas njoftimit, operacioni ka pasur për qëllim kontrollin e bizneseve për shmangie nga tatimi dhe për veprimtari ilegale të kontrabandimit të mallrave.
Ky aksion është zhvilluar në rajonin e Zubin Potokut, respektivisht dy lokacione në fshatin Zupce dhe një tjetër në fshatin Uglar
Siç njofton Dogana ky operacion ka rrjedhur pas asnjë incident.
Gjithashtu nuk është raportuar për të arrestuar.
Pas këtij aksioni, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka thënë se ka dyshime se ka pasur rrjedhje të informacioneve.
Sveçla ka thënë se në një nga lokacionet që është kontrolluar është vërejtur infrastruktura por se kanë munguar pajisjet me të cilat është zhvilluar aktiviteti i jashtëligjshëm i kriptovalutave.
“Në një nga lokacionet është vërejtur infrastruktura por mungonin paisjet për këtë veprimtari të jashtëligjshme. Duke marrë parasysh këtë fakt, Policia e Kosovës është duke zhvilluar hetime intensive për rrjedhje të informatës zyrtare”, ka thënë ai.
Ai konfirmoi se në këtë aksion nuk ka pasur incidente.
“Sot Policia e Kosovës në mbështetje të veprimarisë së Doganës së Kosovës, ka zhvilluar një aksion në Komunën e Zubin Potokut me ç’rast janë kontrolluar tri lokacione/ hapësira të dyshimta për aktivitete të jashtëligjshme të minimit të kriptovalutave. Aksioni ka përfunduar pa incidente”, ka thënë Sveçla.
Ai po ashtu ka ftuar të gjithë qytetarët tanë që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës duke lajmëruar çfarëdo veprimtarie joligjore, të kujtdo qoftë, duke kontribuar kështu drejtpërdrejtë në sundimin e ligjit për të gjithë dhe kudo në Kosovë.