Dyshohet për banane me gjak në “Viva Fresh Store”
Nuk janë të rralla rastet që qytetarët po ankohen në qendra të mëdha tregtare se po i mashtrojnë si me çmime ashtu edhe me cilësi të produkteve. Një qytetare nga Prishtina ka dërguar në redaksinë e FaktePlus disa fotografi me të cilat dëshmon se “Viva Fresh Store” i ka shitur produkte të prishura.
Qytetarja (emër i njohur për redaksinë) tregon se mallin për të cilin dyshon se është i prishur e ka blerë në pikën e shitjes së “Viva Fresh Store” në lagjen Kalabria në Prishtinë.
Ajo thotë se është shokuar kur ka parë bananet që ka blerë në këtë kompani. Sipas saj, bananet kanë rezultuar me një material ngjyrë të kuqe, e për çka ajo dyshon se është gjak.
“Në fotografi shihet qartë se si në bananen ka ngjyrë të kuqe, e po ashtu shihet edhe sikur të jetë injektuar me gjak përmes gjilpërës”, tha qytetarja për FaktePlus.
Ajo tutje shtoi se ka kërkuar një takim me menaxherin e pikës së marketit, por se ai nuk kishte qenë i pranishëm dhe i lënë takim pas orës 15:00.
Agjencia e Lajmeve FaktePLus ka tentuar të marrë një qëndrim nga zyrtarët e “Viva Fresh Store”, lidhur me këtë rast.
I kontaktuar nga redaksia vetë pronari i “Viva Fresh Store”, Xhevdet Rexhepi sapo mori vesh se për çfarë bëhet fjalë, tha se për këtë çështje flet menaxheri i këtij rrjeti të dyqaneve.
Mirëpo, menaxheri i kësaj pike pasi u kontaktua nga FaktePlus tha se ishte në pushim dhe nuk kishte ndonjë njohuri për rastin.
Lidhur me këtë rast redaksia ka kontaktuar edhe me zyrtarë nga Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit në Kosovë, e të cilët thonë se nuk mund të kthejnë përgjigje deri nesër për këtë çështje./FaktePlus