Dyshimet për keqpërdorim të 815 mijë eurove, Hasanaj sqarohet si u shpenzuan paratë
Publikimi i raportit nga Auditori i Përgjithshëm ka ngritur disa dyshime për parregullsi në mbështetjen financiare që Qeveria e Kosovës i ka dhënë OJQ-së “Let’s Do It Kosova”, e cila mori 815 mijë euro gjatë vitit të kaluar për të realizuar aksionin “Ta pastrojmë Kosovën”.
Në raportin e auditimit për Zyrën e Kryeministrit, Auditori konstaton se “nuk ekzistojnë dëshmi të përshtatshme dhe të mjaftueshme nëse ato para janë shpenzuar në pajtim me procedurat dhe kërkesat ligjore”.
E në lidhje me këtë, koordinatori i organizatës në fjalë, Luan Hasanaj në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, pretendon se ka ndjekur me përpikëri procedurat dhe ka dëshmi të shpenzimeve të krijuara gjatë aksionit për pastrimin e vendit.
“Nëse ka ndonjë dëshmi tjetër përveç faturës dhe raporteve të vazhdueshme që prezantohen në task-forcën që është formuar për pastrimin e Kosovës, unë nuk e di mënyrë tjetër. Mjetet shpenzohen dhe prezantohen me fatura nuk ka mënyrë tjetër për t’i raportuar ato shpenzime. Unë nuk njoh ndonjë procedurë tjetër ligjore në Kosovë pos kësaj”, ka thënë ai.
E pas ngritjes së dyshimeve nga Auditori i Përgjithshëm, Hasanaj ka treguar se tani janë duke pritur përgjigje zyrtare nga Auditori, si dhe Zyra e Kryeministrit të Kosovës, për të parë se çfarë dëshmish tjera do të duhej të prezantohen.
“Ne e kemi raportin financiar që gjendet edhe në ueb faqen tonë, të njëjtin raport e kemi prezantuar edhe tek zyra e kryeministrit, unë nuk di se me çfarë forme tjetër arsyetohen mjetet e shpenzuara, nuk e di se për çfarë parregullsi ka gjetur auditori”, ka thënë tutje Hasanaj.
Ai është përgjigjur edhe për pjesën ku në raport theksohet se nuk ekziston kontratë mes Zyrës së Kryeministrit dhe përfituesit të subvencionit, respektivisht OJQ-së “Let’s Do It Kosova”, për fushatën “Ta pastrojmë Kosovën”, e cila do të përcaktonte përgjegjësitë dhe detyrimet e palëve në realizimin e këtij projekti.
Hasanaj pranon faktin se paratë janë dhënë pa ndonjë kontratë, por me një vendim të Qeverisë së Kosovës për ta mbështetur fushatën që kishte për qëllim pastrimin e vendit.
“Unë nuk e di se si janë procedurat e brendshme të Qeverisë së Kosovës në formën e mbështetjes… ne e kemi dërguar projektin në Qeveri e kemi prezantuar para task-forcës, e cila është aprovuar dhe në bazë të këtij aprovimi edhe Qeveria e ka miratuar projektin në fjalë. Pse nuk ka kontratë kjo pyetje është dashur t’i behët Qeverisë së Kosovës”, ka thënë ai.
Hasanaj tutje ka shtuar se paga e tij mujore si koordinator i fushatës “Ta pastrojmë Kosovën”, nuk e kalon pagën mesatare të përcaktuar në vendin tonë.
“Të ardhurat e mija mujore si koordinator i fushatës “Ta pastrojmë Kosovë”, janë 450 euro pagë”, ka thënë Hasanaj, ndërsa nuk ka treguar për të ardhura tjera shtesë.
Kujtojmë se OJQ “Let’s Do It Kosova”, ka disa vite që merret me aksione për pastrimin e vendit dhe ka marrë donacione të ndryshme për punën ë saj.
E vitin e kaluar fushata “Ta Pastrojmë Kosovën”, është financuar nga Qeveria e Kosovës me 815 mijë euro. Ky aksion kishte filluar më 15 shtator dhe ka zgjatur deri më 15 dhjetor dhe kishte për qëllim largimin e mbeturinave nga vende të shumta, mandej pastrimin e lokacioneve të ndryshme si dhe gjelbërimin e disa hapësirave nëpër Kosovë./FaktePlus