Dyshime për rrjedhje të informacioneve, Inspektorati Policor i Kosovës nis hetimet
Para se të ndërmerreshin aksione të Policisë në Mitrovicë të Veriut, ka ndodhur që të rrjedhin informacione nga persona që ende nuk janë bërë të ditur për institucionet e Kosovës.
Kushtrim Hodaj, kryeshef ekzekutiv i Inspektoratit të Policisë së Kosovës, dyshon se këto informacione po dalin pasi para zhvillimit të aksioneve në atë pjesë, po përfshihen agjenci të ndryshme të sigurisë dhe sundimit të ligjit.
“Dyshojmë që ka pasur rrjedhje të informacioneve për shkak se në momentin që ka arritur Policia në lokacione ku kanë qenë të destinuar të bastisen del që informacionet kanë qenë të personat e dyshuar dhe nuk është arritur të gjenden në vendin e caktuar”, ka thënë ai për RTK-në.
Ky institucion tashmë ka marrë ngjyrën e gjelbër nga Prokuroria e Shtetit për të filluar hetimet ndaj zyrtarëve policorë që dyshohen për shpërndarje të informacioneve.
“Ne kemi filluar disa hetime kemi marrë disa autorizime prej prokurorëve që të zhvillojmë hetime në drejtim të zbulimit se kush i ka nxjerrë këto informacione, sigurisht mundë të ketë zyrtarë të informuar në shpërndarje të informacioneve”, ka thënë Hodaj.
Inspektorati Policor ka vazhduar të marrë masa disiplinore ndaj policëve që kanë thyer rregullat zyrtare.
“Deri në vitin që shkoj ne kemi pranuar një numër jashtëzakonisht të madhë të ankesave ku është afër 30% më i lartë se sa viti paraprakë kemi pranu mbi 2 mijë ankesa”, është shprehur Hodaj.
Gjatë vitit të kaluar, sipas raportit të Policisë së Kosovës ka pasur zyrtarë policorë që janë përjashtuar nga puna për keqpërdorim të detyrës zyrtare.