Dyshime për montim të konkursit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës [Dokument]
“Gabimi teknik” doli të jetë arsyeja kryesore që Këshilli Prokurorial i Kosovës e zgjodhi një kandidate në pozitën e zyrtares për informim dhe monitorim të mediave në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Kjo kandidate ishte futur në listën e ngushtë dy ditë më vonë pas publikimit të emrave të atyre që i kishin plotësuar kushtet për garën e mëtutjeshme.
Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte nevojë për një zyrtar për informim dhe monitorim të mediave.
Prandaj, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), si menaxhere e saj, shpalli konkurs më 5 tetor 2018 dhe për ta përfunduar më 19 të po atij muaji.
Pas mbylljes së konkursit, dolën edhe emrat e kandidatëve të cilët i plotësonin kushtet për t’u futur në listën e ngushtë. Në këtë listë ishin pesë kandidatë.
Tek pas dy ditës, KPK-ja nxjerrë njoftimin plotësues, duke e futur në listën e ngushtë edhe një kandidate tjetër, me arsyetimin se kishte ndodhur një gabim teknik.
“Të nderuar kandidat kem kënaqësinë t’ju informojmë se aplikacioni juaj për pozitën e lartpërmendur ka hyrë në listën e shkurtër, për të cilën paraqesim regjistrin. Për shkak të një gabimi teknik na është përvjedhur renditja e emrit tuaj në listën e shkurtër (ngushtë). Kandidatët e përfshirë në këtë listë të shkurtër do të ftohen me kohë për pjesëmarrje ne testin me shkrim”, thuhet në arsyetimin e KPK-së.
Për çudi, në fund të konkursit doli fituese kandidfatja që ishte futur në listën e ngushtë dy ditë më vonë.
“Në bazë të nenit 41 paragrafi 2 i Rregullores nr.02/2010 për Procedurat e Rekrutimit në Shërbimin Civil, Divizioni i Burimeve Njerëzore, njoftojmë të gjithë pjesëmarrësit në këtë proces se pas përfundimit të procedurës së rekrutimit për pozitën: Zyrtar për Informim dhe Monitorim të Mediave, një (1) pozitë, në Prokurorinë Themelore Prishtinë, sipas konkursit të shpallur me datë 05.10.2018 deri më 19.10.2018, si dhe vazhdim të konkursit të datës 22.10.2018, kandidati më i suksesshëm ishte: Laureta Ulaj, me 72,1 pikë në total”, thuhet në njoftimin e publikuar.
FaktePlus për disa ditë më radhë ka pritur një email nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Pas tri javësh vonesë është përgjigjur Këshilli Prokurorial i Kosovës duke u munduar ta arsyetojë veprimin e vet.
“Bazuar në nenin 22 paragrafi 2 i Rregullores Nr. 02/2010 për Procedurat e Rekrutimit në Shërbimin Civil të Kosovës, për mos arritje të numrit të balancuar nga aspekti etnik dhe gjinor është vazhduar konkursi edhe për 7 ditë, për poziten “Zyrtar për Informim dhe Monitorim të Mediave “ në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Pas kërkesës së pranuar të kandidates Laureta Ulaj, për rishqyrtim të aplikacionit të saj, Komisioni Përzgjedhës ka konstatuar se ka ndodhur një gabim teknik dhe ka vlerësuar që kandidatja i kishte plotësuar kriteret për listë të ngushtë”, ka thënë Ekrem Lutfiu, zëdhënës i Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Por njëri prej kandidatëve i cili nuk pati fatin të pranohet në këtë konkurs, ngre shumë dyshime. Ai thotë se mënyra se si është futur në listën e ngushtë kjo kandidate, lë shumë për të dyshuar. Madje ai thotë se kandidatja në fjalë nuk i plotëson as kushtet për atë pozitë.
“Dyshimet e para kanë lindur kur i njëjti person që u nxjerr si kandidate fituese, ka hyrë në Listën e Ngushtë dy ditë pasi që është shpallur kjo listë. Ne si kanditatë nuk jemi njoftuar për pikët që i kemi marrë në testim me shkrim e as me gojë”, ka thënë njëri prej kandidatëve, që deshi të mbetet anonim.
“Për testin me shkrim na kanë njoftuar vetëm përmes telefonit. Besoj që ajo kandidate as që i plotëson kriteret për këtë vend pune. Dhe ajo çka e shton edhe më shumë dyshimin është fakti se e njëjta ka qenë kandidate edhe për Zyrtare për Marrëdhënie me Publikun në Zyrën e Kreyeprokurorit të Shtetit, e që ky konkurs është anuluar për shkak të mos arritjes së pikëve të duhura”, ka shtuar ky kandidat.
Duket se kandidatja në fjalë e ka fatin të hyjë me vonesë nëpër konkurse. Ngjajshëm i kishte ndodhur edhe në konkursin e KPK-së për pozitën Zyrtar i Lartë për Komunikim me Publikun.
Ajo ishte futur me vonesë (në listën plotësuese) në këtë konkurs. Edhe aty ishte dhënë arsyeja e njëjtë se për shkak të një gabimi teknik ajo nuk ishte përfshirë në listën e ngushtë.
FaktePlus ka kontaktuar për ditë me rradhë edhe me kandidatën, por ajo nuk i është përgjigjur thirrjeve.