Dyshime për mishin në Kosovë: Rreziku nga thertoret dhe tregjet e kafshëve
Dyshimet e ngritura mbi cilësinë e suxhukut që po shitet në Kosovë i rrit edhe më shumë raporti i fundit i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), “Siguria e Ushqimit Rast studimi: produktet e mishit dhe të grurit”.
Sipas këtij raporti që mbulon vitin 2018, auditorët e shtetit, gjatë auditimit të dokumentacionit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), gjetën se kjo agjenci nuk është duke kryer as për së afërmi punë e saj.
Në vitin 2018, vetëm katër muaj të vitit inspektorët e AUV vizituan për kontrolle thertoret e licencuara nëpër Kosovë. Pjesa tjetër e vitit mbeti e pambuluar. Me ligj, AUV mbulon procesin e inspektimit të para therjeve gjatë therjes dhe pas therjes së kafshëve në thertoret e licencuara.
“Gjatë analizës së raporteve të kontrolleve të fabrikave të përpunimit të mishit për rajonin e Mitrovicës për vitet 2018 dhe 2019 del se kontrollet zyrtare të bazuara në planin nacional bëhen vetëm në katër muaj të vitit. Po ashtu, edhe në regjionin e Gjilanit kontrollet zyrtare janë kryer vetëm në tremujorin e parë dhe të fundit të vitit. Pjesa tjetër e vitit nuk është e mbuluar me kontrolle”, konstaton ZKA.
Përveç thertoreve të licencuara, sipas Auditorit, në vendin tonë kryhen edhe therje në tregje të pa licencuara (ilegale) të cilat nuk i plotësojnë kushtet për therje të kafshëve. Këto tregje nuk kontrollohen as nga agjencia dhe as nga komunat.
“Përveç kësaj, tregjet e kafshëve dhe produkteve me prejardhje bimore që nuk kontrollohen mundësojnë shitjen dhe therjen e kafshëve me rrezik të lartë për konsum”.
Më tutje, sipas Auditorit në komuna funksionon tregu i kafshëve dhe tregu i gjelbër apo ato që ofrojnë ushqim të ndryshëm që nuk janë të licencuara.
“Sipas zyrtarëve të AUV, tregjet e kafshëve në vend nuk i plotësojnë kriteret e parapara për tregje por as nuk kontrollohen nga inspektorët e AUV-së apo komunal. Në këto tregje bëhet therja e pa kontrolluar e kafshëve dhe mos kontrolli i tyre nga inspektorët veterinar rrit rrezikun e therjes/shitjes së mishit me sëmundje që mund të barten edhe tek njerëzit”.
Përveç kontrollit të rregullt zyrtar, inspektorët veterinar në rastin e vërejtjeve japin afat kohor deri në 14 ditë pas kontrollit të parë me qëllim të përmirësimit apo rregullimit të vërejtjeve të dhëna, prandaj disa kontrolle mund të jenë bërë edhe me këtë qëllim.
“Sidoqoftë, në raportet e ofruara nga sektori i inspektoratit veterinar del mospërputhje me dosjet e analizuara për secilën fabrikë që është marr mostër në këtë auditim. Më tutje, shtrirja e kontrolleve zyrtare duhet të jetë përgjatë vitit, ndërsa nga 14 dosjet e analizuara në rajonin e Mitrovicës dhe Gjilanit del se frekuenca e kontrolleve në pesë raste ka një diferencë të muajve. Ndërsa, në rastet tjera kontrollet janë bërë në muajt e përafërt si p.sh janar dhe shkurt. Kjo ndodhë për shkak të mosplanifikimit mujor sipas vlerësimit të rrezikut dhe mosmonitorimit të realizimit të kontrolleve dhe shtrirjes së tyre. Si pasojë, kemi periudha kur nuk ka asnjë kontroll apo brenda një muaji deri në gjashtë kontrolle tek një përpunues i mishit”.
Në kuadër të komunave janë mbi 80 inspektor të tri niveleve veterinar, fitosanitar dhe sanitar. Në sektorin e veterinarisë janë të punësuar vetëm tre inspektorë dhe kryejnë inspektime në thertore dhe mishtore.
“Sikurse, te rasti i inspektimeve të furrave edhe te ky sektor nuk ka raport të detajuar për sektorin, numrin e kontrolleve të realizuara për mishtore. Mirëpo në bazë të procesverbaleve mund të kuptohet se kontrollet kanë ndodhur gjatë muajve shkurt, qershor, korrik, gusht, shtator dhe nëntor. Mosshtrirja e kontrolleve përgjatë gjithë vitit rritë rrezikun për qarkullimin e produkteve të dëmshme për shëndetin e njeriut”./FaktePlus/.