Dyshime për manipulim në përzgjedhjen e zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës
Vlerësimet e dhëna nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë, duket se po bëhen sa për sy e faqe. Kjo për faktin se ato nuk po merren parasysh kur po bëhen emërime në poste të larta shtetërore. I tillë është edhe rasti i fundit me emërimin e zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës.
Për këtë pozitë të lartë shtetërore kanë qenë disa pretendentë, por vetëm tre arritën që të marrin pikët maksimale dhe u futën në listën e ngushtë pas përfundimit të procesit përzgjedhës. Nga ky proces në fund doli fitues Samedin Mehmeti, i cili edhe zyrtarisht është emëruar në pozitën e zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës.
Por, për këtë rast ka dyshime se u bënë manipulime, sepse të dhënat mbi vlerësimin e intervistës së mbajtur më 17 dhe 18 janar të këtij viti, që janë publikuar nga britanikët dhe të dhënat e komisionit nga institucionet e Kosovës, nuk kanë përputhje.
Sipas një përgjigje të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dhënë për FaktePlus, thuhet se kandidati Samedin Mehmeti ka dalë i pari në intervistë duke grumbulluar 34.8 pikë, kurse i dyti doli Riza Shillova me 33.2 pikë dhe Florije Hajra me 30.8 pikë.
Këto janë rezultatet e dhëna nga komisioni i institucioneve të Kosovës
Mirëpo të dhëna krejtësisht tjera të rezultateve të kësaj interviste ka paraqitur Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë, e cila menjëherë pas përfundimit të intervistës për zëvendësdrejtor të Policisë së Kosovës, i kishte paraqitur rezultatet në ueb faqen: www.kosovoselection.org.
Sipas këtyre të fundit në këtë intervistë ishin ftuar tre kandidatë, ku i pari me pikë kishte dalë Riza Shillova me 39.0 pikë, mandej i dyti Samedin Mehmeti me 33.0 pikë, dhe në fund Florije Harjra me 26.0 pikë.
Rezultatet e publikuara nga Ambasada e Britanisë së Madhe
Përbërja e Komisionit vlerësues
Në gjithë procesin e rekrutimit të kësaj pozite të lartë drejtuese të Policisë së Kosovës, rol vendimtar ka pasur Komisioni në përbërje prej pesë anëtarëve, të cilët edhe kanë vlerësuar kandidatët për zëvendësdrejtor.
Kryesues i këtij Komisioni ishte Fitim Sadiku, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Mandej Rozafa Ukimeraj, sekretare e përgjithshme në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Pjesë e Komisionit ishte edhe Arben Çitaku, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor, si dhe Florian Qehaja, drejtor ekzekutiv nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë dhe i pesti është Benasim Mediç, ushtrues detyre i Drejtorit në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë.
Topi gjuhet sa te njëri e tjetri institucion, përgjigje s’ka
Redaksia e FaktePlus ka kërkuar një përgjigje nga kryesuesi i këtij komisioni për të kuptuar pse ka dallime me Ambasadën e Britanisë së Madhe, në vlerësimin e kandidatëve.
Fitim Sadiku ka thënë për FaktePlus se nuk ka çfarë të shtoj lidhur me këtë proces rekrutimi.
“Ju njoftoj se Komisioni për vlerësim e ka kryer punën e tij, rezultatet dhe raportin e kemi përcjellë në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Nëse keni pyetje atëherë drejtohuni këtij institucioni”, ka thënë Sadiku.
Gjithashtu redaksia ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga kabineti i kryeministrit Ramush Haradinaj, por zyrtarët nga ky institucion “topin” e kanë gjuajtur tek MPB-ja.
Në një përgjigje të shkruar ata kanë thënë se propozimet vijnë nga Ministria e Punëve të Brendshme, ndërsa kryeministri vetëm e bënë emërimin në pozicionin në fjalë.
Mirëpo, shpjegim për dallimin që ekziston në vlerësimin e Komisionit vendor me atë të Ambasadës së Britanisë së Madhe, nuk kanë dhënë as në MPB.
Si do qoftë, kjo ministri vlerëson se procesi i rekrutimit për pozitën e dytë më të lartë në polici, ka shkuar në transparencë të plotë.
“Ju njoftojmë se intervista për përzgjedhjen përfundimtare për pozitën e punës zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë është mbajtur më 17 dhe 18 janar 2019 në objektin e MPB-së, ku ishte një intervistë e strukturuar, bazuar në kompetencë dhe testim psikometrik, një intervistë me metodologji më të avancuar duke aplikuat metoda dhe përvoja të vendeve më të zhvilluara por duke u mbështetur gjithnjë në legjislacionin e Republikës së Kosovës. Në intervistë kanë marrë pjesë pesë (5) kandidatë, Komisioni rekrutues, me pikët më të larta poentoi kandidatet: Samedin Mehmetin me 34.8; Riza Shillova, 33.2 dhe Florie Hajra, 30.8.”, thuhet në përgjigjen e MPB-së dhënë për FaktePlus.
Kujtojmë se ka kohë që institucionet e vendit kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me Ambasadën e Britanisë së Madhe në Prishtinë, i cili ka për qëllim për të siguruar pavarësinë, meritokracinë dhe profesionalizmin në procesin e rekrutimit të pozitave të larta drejtuese.
Samedin Mehmeti është zgjedhur zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës një muaj më parë, më saktësisht më 23 janar të këtij viti.
Ai më parë kishte pozitën e drejtorit të Divizionit për Komunikacion në Policinë e Kosovës, kurse ka qenë gjithashtu edhe konkurrent për të parin e Policisë së Kosovës./A.B-FaktePlus