Dyfishohet mishi nga Belgjika, AUV nuk tregon a po kontrollohet
Nga Kreshnik Llabjani
Pranverën e sivjetme u diskua shumë për cilësinë e mishit, pasi u bë publike se gjatë vitit 2017 sasi e madhe e këtij produkti erdhi i prishur nga Belgjika. Por, mish edhe në sasi më të mëdha është importuar sivjet nga ky shtet. Dogana bëri të ditur se importi i mishit nga Belgjika është dyfishuar, kurse Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë nuk ka treguar nëse po kontrollohet cilësia.
Skandali me mish të prishur
Në Belgjikë në fillim të këtij viti pati shpërthyer skandal në lidhje me cilësinë e mishit që e konsumojnë qytetarët, pas zbulimit se firma “Veviba”, një nga furnizuesit më të rëndësishëm, ka funksionuar në kushte të papranueshme sanitare, dhe ka manipuluar me përmbajtjen e mishit.
Këtë mish dhe produktet e tij me origjinë nga Belgjika dyshohej se e kishin konsumuar edhe qytetarët e Kosovës. Mbi këto dyshime, ishin mbyllur edhe kompanitë që bënë importin e këtij mishi.
Këta muaj të vitit 2018 janë importuar mbi 320 mijë kg mish nga Belgjika
Mirëpo, kosovarët nuk kanë hequr dorë ende nga mishi i Belgjikës. Madje, sipas statistikave të Doganës së Kosovës, sasia e mishit të importuar nga ky shtet veç është rritur.
Zyrtarë nga Dogana e Kosovës kanë treguar për FaktePlus se nga fillimi i këtij viti e deri tani, në vendin tonë kanë hyrë mbi 320 mijë kilogramë mish të ndryshëm nga Belgjika.
“Për këta muaj të vitit 2018, mishi dhe të brendshmet e ngrënshme të importuara nga Belgjika kanë arritur në 319 mijë e 603 kilogramë”, thuhet në përgjigjen e Doganës së Kosovës.
Kurse të dhënat e Doganës tregojnë se nga Belgjika për gjithë vitin 2017 në Kosovë kanë hyrë rreth 220 mijë kilogramë mish.
“Mishi dhe të brendshmet e ngrënshme, të shpendëve të kreut, të freskëta, të ftohta apo të ngrira: janë 219 mijë e 200 kilogramë. Mish i gjedheve, i ngrirë 10 mijë e 034 kilogram”, bëri të ditur Dogana.
AUV nuk tregon a po kontrollohet mishi
Marrë parasysh problemin e mëhershëm me cilësinë dhe tani rritjen e importit të mishit nga Belgjika, Fakte Plus ka kërkuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), një përgjigje lidhur me inspektimin që i behët mishit dhe produkteve të tij në tregun e Kosovës.
Por, zyrtarët e AUV-it për disa javë nuk kanë kthyer përgjigje dhe të tregojnë nëse po kontrollohet mishi në tregun e Kosovës në tërësi, e sidomos ai i importuar nga Belgjika.
Historia me mishin e prishur
Në shtatorin e vitit 2016, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kishte njoftuar Agjencinë Federale për Sigurimin e Rrjetit Ushqimor (FASFC) në Belgjikë, se në Kosovë janë asgjësuar rreth 20 tonë të mishit me prejardhje belge.
Ky aksion i AUV-it në shtatorin e vitit 2016 do të shënonte nisjen e hetimeve nga autoritetet belge ndaj kompanisë “Veviba”, me bazë në Bastonjë të Belgjikës. Dy vite kishin zgjatur hetimet e FASFC ndaj kompanisë “Veviba”.
Dy vjet pas njoftimit të autoriteteve belge nga AUV lidhur me mishin e prishur që ishte asgjësuar në Kosovë, autoritetet belge në pranverën e sivjetme bënë të ditur se kanë kontrolluar 200 nga 2 mijë paleta me mish të kompanisë “Veviba”.
Hetimet treguan se nga 200 paletat e kontrolluara rreth 70 për qind e mishit ishte i dëmshëm. Sipas hetuesve belg, në disa raste mishi ka qenë me afat të skaduar, dhe se produktit të mishit të ngrirë i janë zëvendësuar etiketat duke ia shtyrë datën e skadimit të afateve për 1 vit më shumë.
Sa mish importon Kosova brenda një viti
Në Kosovë brenda një viti importohen mbi 40 milionë kilogramë mish të të gjitha llojeve.
Sipas statistikave të Doganës, Kosova më së shumti importon mishin e shpezëve (pulë). Derisa origjina e mishit të importuar nga Kosova kryesisht është nga SHBA, Brazili, Argjentina dhe Holanda. /FaktePlus