Dy prej të plagosurve në Obiliq në gjendje të rëndë
Tre persona janë plagosur sot gjatë një përleshje në sheshin e qytetit në Obiliq.
Të njëjtit janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, derisa gjendja e dy prej tyre thuhet të jetë e rëndë.
Mjeku kujdestar në Klinikën Emergjente në QKUK, Avdush Bajgora ka thënë për Express se gjendja e dy prej pacientëve është e rëndë.
Sipas tij, pacientët kanë lëndihme në kraharor nga mjete të mprehta.
Njëri nga pacientët sipas Bajgorës është në sallë të operimit, ndërsa tjetri po përgatitet për të ju nënshtruar operacionit.
“Gjendja e tyrë është e rëndë. Njëri prej tyre është në sallë të operacionit. Ata janë të lënduar me mjete të mprehta në kraharor. Njëri është operu, tjetri tash do të hyjë në operacion. Ndërsa, tjetri është në gjendje më të lehtë”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, rastin për Express e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.
Flora Ahmeti, zëdhënëse e policisë për rajonin e Prishtinës ka thënë se përleshja ka ndodhur rreth orës 15:00 dhe se policia ka nisur hetime lidhur me rrethanat e këtij rasti.
“Sot rreth orës 15 :00 patrulla policore ka hasë në një përleshje fizike e cila ka ndodhë në sheshin e qytetit,në Obiliq. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast nga mjete të mprehta, janë plagosur tre persona. Të njëjtit janë dërguar për trajtim mjekësor. Policia ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti”, tha Ahmeti.