Dy kërkesat e Ahmet Isufit për Qeverinë rreth buxhetit
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmeti Isufi ka dhënë dy vërejtje ndaj projektbuxhetit për vitin 2019.
Me këtë rast, shefi i deputetëve të AAK-së, drejtoi dy kërkesa ndaj Qeverisë që t’i ketë parasysh në të ardhmen kur e ndajnë buxhetin.
“Vërejtja e parë është se buxheti kur ndahet në linja të caktuara, sidomos agjencive, komunave dhe të gjitha institucioneve, duhet të ndahet në mënyrë të barabartë që mundëson një funksionim të gjithë sektorëve e që nga kjo në fund përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës. Ajo që është me rëndësi t’i përgjigjemi edhe nevojës strategjike për vendin. E me këtë rast do të përmendja pjesën kufitare që nuk është e trajtuar sa duhet, meqë po flasim për pjesë të ndjeshme për funksionimit të shtetit, e që ka nevojë për investime me të mëdha”, tha Isufi.
Ai shtoi se në të kaluarën e kupton pse nuk ka pasur interesim për investime , por tani nuk e kupton pse nuk ka një qasje më proaktive në zonat kufitare të cilat duhet të jenë edhe ekonomikisht qoftë për shkak të sigurisë apo demografisë që të jenë të trajtuara më mirë në buxhetin e Kosovës.
“Ne kemi zona gati krejtësisht të zbrazura, e në të njëjtën kohë flasim për territorin e Kosovës që meriton një qasje më pozitive. Po e marrë një zonë që e njoh mirë, është zona e Gollakut e cila ka resurse shumë të mëdha”, theksoi Isufi.
Isufi ka përmendur edhe bartjen e buxhetit nga viti në vit.
“Ajo që më brengosë, që është aspekti i dytë, është bartja e buxhetit ndër vite që shkon duke mos u shfrytëzuar dhe bartja e tillë është vetëm humbje e mundësisë për investime në dobi të qytetarëve të Kosovës. Nuk e kuptoj shembull një komune i ndahet buxhet në linjat e njëjta për tri vite dhe nuk shfrytëzohen, e këtë e konsideroj dobësi të menaxhimit të buxhetit. Unë jam që në të ardhëm të ndahet buxheti aty ku shfrytëzohet racionalisht”, theksoi Isufi.
Debati për projektbuxhetin e vitit 2019 po vazhdon që nga dita e djeshme. /FaktePlus