Dy herë në qeveri, Kurti nuk e prek Ligjin e ri të Pagave – Paralajmërohen protesta në shëndetësi dhe arsimit
Gjykata Kushtetuese në qershor të vitit 2020 e pati shpallur të pavlefshëm Ligjin për Paga në Sektorin Publik, i cili ishte miratuar gjatë kohës sa Ramush Haradinaj ishte në krye të Qeverisë së Kosovës. Sipas këtij ligji, shumica e punëtorëve do t’i merrnin pagat me rritje.
Rreth 80 mijë punëtorë që paguhen nga buxheti po vazhdojnë që të marrin pagat pa rritje, meqenëse Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Paga në Sektorin Publik.
Sipas vendimit të Kushtetuese, ligji në tërësi nuk është në përpuethshmëri me disa nene të Kushtetutës së Kosovës.
Në vendim theksohet se ka pasur përjashtime arbitrare dhe të paarsyetuara për disa institucione, përfshirë: Forcën e Sigurisë së Kosovës, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Bankën Qendrore të Kosovës, dhe vet Kuvendin.
“Gjykata arriti në përfundimin se, përjashtimet e akorduara me Ligjin e kontestuar kundërshtojnë haptazi vet qëllimin e ‘harmonizimit’ gjithëpërfshirës për të cilin thuhet të jetë nxjerrë. Rrjedhimisht, përjashtimet e bëra u konsideruan se shkojnë kundër vet qëllimit të Ligjit dhe krijojnë diferencime të paarsyetuara, të padëshmuara dhe arbitrare”, thuhej në arsyetimin e Kushtetueses.
Ndërsa me ardhjen e Qeverisë Kurti 2, ky ligj ende nuk është hedhur në shqyrtim ani pse sindikatat e ndryshme kanë kërkuar procesimin e këtij ligji.
Janë punëtorët shëndetësor që kanë protestuar sot para Qeverisë së Kosovës duke kërkuar që kjo qeveri të shtyej përpara ligjin për pagat.
Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla ka thënë se Qeveria po punon në mënyrë të fshehtë.
Ai është shprehur se nëse deri në fund të këtij viti nuk procedohet Ligji për Paga, atëherë kjo protestë do të kthehet në reagime më të ashpra sindikale.
“Ne siç po e shihni sot jemi mbledhur përsëri këtu para qeverisë që t’i shpalosim hallet tona sa i përket gjendjes sociale të punëtorëve shëndetësorë. Siç e dini kohë më parë ne e bëmë një protestë simbolike me shpresën e vetme që presidentja dhe kryeministri do të reflektojnë dhe të paktën të na ftojnë edhe neve në bisedime sa i përket ligjeve që kanë të bëjnë me mirëqenien e mbarë popullatës. Ne sot kemi dal t’i themi stop kësaj jotransparence dhe kemi dal t’i lajmërojmë se nëse jo ligji i Pagave nuk shkon sivjet, kjo protestë tani më do të kthehet edhe në reagime më të ashpra sindikale. Unë kam nderin dhe kënaqësinë se nuk do ta përfundoj me kaq”, ka deklaruar ai.
E në këtë protest u pa edhe kreu i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jashari. Ai pas kësaj proteste tha për FaktePlus se kërkesat janë të njejta si të mantilbardhëve. Jashari pohoi se sistemi i arsimit mund të bllokohet në ditët në vazhdim nëse Qeveria Kurti nuk ndërmerr masa për ligjin e ri të pagave.
“Në protestën e sotme të mantilbardhëve, në mënyrë simbolike mora pjesë edhe unë me bashkëpunëtortët e mi dhe tham publikisht janë kërkesa të qëllimta, por edhe si kërkesë e jona që ligji i pagave të diskutohet. Dhe ligji i njejt të shkoj në parlament për dikutim dhe miratim, në të kundërtën nga takimet që i kemi me anëtarësimet kanë kërkuar që të shtyhet përpara ky ligj, dhe nëse vazhdohet me këtë neglizhencë kam frik që ashtu si shëndetësia edhe ne do të hyjmë në greva. Për të mos ardhur te më e kqja Qeveria Kurti duhet të na ftoj në diskutime për kët ligj dhe t’i shmangim protestat dhe veprimet sindikale”, tha ai.
Jashari po ashtu theksoi se edhe në takimet me ministren e Arsimit i kanë shprehur pakënaqësitë e tyre.
“ Me ministren e arsimit Nagavci kemi raporte të mira dhe kuptojmë që kjo ministri nuk ka kapacitete për këtë punë por qeveria do të duhej të involvohej sidomos me ministrin e financave Hekuran Murati. Murati duhet të jetë edhe ministër i punës dhe mirëqenies sociale pasi kjo ministri ka kaluar në atë të financave dhe ky të ulet me sindikalistët dh të diskutpj për hallet dhe problemet e tyre. Ne po presim se çfarë do të bëhet gjatë këtyre ditëve”, është shprehur Jashari.
Sa është koeficienti i sistemit publik të arsimit me ligjin e ri të pagave?
Paga bazë më e larta në sistemin publik të arsimit në Kosovë parashihej të jetë 1482 euro. Ajo u përket profesorëve të rregullt, atyre emeritus dhe këshilltarëve shkencorë. Por nëse dikush prej tyre e ushtron pozitën e rektorit, prorektorit, dekanit apo prodekanit, atëherë do të kompensohen me shtesë funksionale.
Në rangun e dytë për nga lartësia e pagave në arsim vijnë profesorët e asocuar në universitet. Koeficienti i pagës së tyre është paraparë të jetë 5.60. Duke marrë parasysh që vlera e një koeficienti është llogaritur të jetë 239 euro, atëherë rezulton se paga e tyre do të jetë 1338 euro.
Të tretët në listë vijnë ata që janë profesor asistent dhe bashkëpunëtor shkencor. Me koeficient 5, të tillët parashihet të marrin nga 1195 euro në muaj.
Pas tyre vijnë ligjëruesit në universitet. Për ta është paraparë një pagë mujore 1075.5 euro.
Pagë më të ultë parashihet të marrin lektorët në universitet. Me koeficient 3.70, paga e tyre del të jetë 884 euro.
Më poshtë në listë vijnë asistentët në universitet. Për ta është planifikuar një pagë prej 872.35 euro.
Të gjitha pagat tjera në arsim janë nën koeficientin 3.
Kështu, drejtori i Shkollës së Mesme me koeficient 2.70 planifikohet të marrë 645 euro në muaj.
Drejtori i Shkollës Speciale, ai i Shkollës Fillore dhe Drejtuesi i ulët janë kategorizuar me koeficient 2.50, që i bije se paga e tyre është paraparë të jetë 597.5 euro.
Për një shkallë më të ultë është paga e zëvendësdrejtorit të shkollës fillore dhe drejtorit të institucioneve parashkollore. Ajo parashihet të jetë 549.7 euro. Po kaq, parashihet të jetë edhe paga e një mësimdhënësi në shkollë të mesme. Derisa koeficienti i pagës së tyre është paraparë të jetë 2.30, koeficienti i pagës së mësimdhënësit në shkollë speciale është planifikuar të jetë 2.20. Me këtë koeficient, ata pritet të marrin 525.8 euro.
Mësimdhënësi në shkollë fillore, sekretari i shkollës, pedagogu dhe psikologu, sipas projektligjit, është paraparë të kenë pagë prej 478 euro.
Të parafundit në listë për nga niveli i pagës janë mësimdhënës në institucionet parashkollore. Paga e tyre parashihet të jetë 454 euro.
Krejt në fund vijnë edukatorët. Me koeficient 1.70, paga e tyre llogaritet 406.3 euro./FaktePlus