Dushi: Vendet në KQZ ndahen mes grupeve të cilat kanë dalë nga zgjedhjet
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk ka të drejt të emërojë nga një anëtarë për secilin grup parlamentar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pasi dispozitat kushtetuese që rregullojnë ndarjen e vendeve në KQZ janë të qarta. Kështu thotë ish anëtari i KQZ-së nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Florian Dushi, i cili kohë të gjatë ka qenë pjesë e këtij institucioni. Sipas tij, KQZ njeh vetëm grupet parlamentare që kanë dalë nga zgjedhjet, por jo edhe ato grupe që krijohen pas konstituimit të Kuvendit.
Në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, Dushi ka thënë se është precedent i rrezikshëm për demokracinë parlamentare mbajtja peng dhe mos dekretimi i anëtarëve të KQZ-së nga ana e presidentit.
Dushi thekson se në këto kushte kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i bllokuar, nuk mund të organizohen zgjedhjet edhe në qoftë se do të shpërndahej Kuvendi.
Ai ka paralajmëruar se nëse presidenti i vendit emëron nga një anëtar në KQZ për secilin grup parlamentar, atëherë vendimin e kreut të shtetit do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.
FaktePlus: Z. Dushi keni qenë gjatë anëtar i KQZ-së, si e shihni bllokimin e këtij institucioni tash e një vit?
Dushi: Bllokimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e shoh si veprim të papranueshëm të presidentit të Republikës së Kosovës, si precedent të rrezikshëm për demokracinë parlamentare, si kthim prapa në angazhimin e gjithë neve, por edhe faktorit ndërkombëtar që Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ta ndërtojmë dhe ta mbajmë si një institucion të organizuar mirë e të besueshëm, gjithnjë duke pasur parasysh përgjegjësitë jashtëzakonisht të ndjeshme që ky institucion ka sipas Kushtetutës dhe ligjeve përkatëse në fuqi.
FaktePlus: Si duhet emëruar anëtarët e KQZ-së, meqë ka shumë paqartësi nëse duhet të emërohen në bazë të grupeve parlamentare që kanë nga zgjedhjet apo grupeve parlamentare që formohen pas zgjedhjeve?
Dushi: Nuk ka paqartësi, sepse dispozitat kushtetuese të cilat ndërtojnë formulën mbi të cilën ndahen vendet në KQZ në mes të subjekteve politike/grupeve parlamentare janë më se të qarta, sikur edhe praktika e deri sotme e implementimit të këtyre dispozitave.
E kam thënë edhe më parë, konfuzioni i improvizuar rreth ndarjes së vendeve në KQZ është duke ndodhur më shumë për qëllime politike sesa për shkak të paqartësive juridike.
Prandaj formula është e qartë, vendet në KQZ ndahen në mes të grupeve të cilat si të tilla kanë dalë nga zgjedhjet dhe jo edhe grupeve të cilat janë formuar më vonë. Sepse, sikur ligjvënësi të kishte paraparë që vendet në KQZ do të ndaheshin në mes të grupeve që do të formohen ndërkohë, ne do të kishim pastaj edhe ndarje fiktive të grupeve të mëdha vetëm e vetëm që të sigurojnë për veten e tyre përfaqësim sa më të madh në KQZ, gjë që nuk ka logjikë juridike, kur kemi parasysh përvojat e shteteve tjera në kuptimin e ndërtimit, por edhe funksionimit të institucioneve menaxhuese të zgjedhjeve.
FaktePlus: A ka shkelje kushtetuese me mos emërimin e deritashëm të anëtarëve të KQZ-së?
Dushi: Siç e thash edhe më sipër, bllokimi i KQZ-së është veprim i papranueshëm, politikisht, i presidentit, por për më tepër ky veprim është në kundërshtim me të gjitha afatet kushtetuese e ligjore që presidenti ka për emërimin e anëtarëve të KQZ-së dhe sidomos në kundërshtim me vet përgjegjësitë e presidentit të përcaktuara me Kushtetutë, kur kemi parasysh se njëra ndër përgjegjësitë themelore të tij sipas Kushtetutës është që të garantojë funksionimin e rregullt e demokratik të institucioneve kushtetuese.
FaktePlus: Nëse brenda pak kohësh shpërndahet Kuvendi dhe KQZ ende nuk është kompletuar, a mund të organizohen zgjedhjet?
Dushi: Sipas Kushtetutës, organi i vetëm kompetent për organizimin e zgjedhjeve, përpilimin dhe shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve në Republikën e Kosovës është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Meqë ky institucion, tash e një vit nuk është duke funksionuar, nënkuptohet se Republika e Kosovës në këto kushte nuk e ka funksional organin përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve.
FaktePlus: Nëse presidenti emëron nga një anëtar për secilin grup parlamentar aktual në Kuvendin e Kosovës, a ka vend për shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese?
Dushi: Natyrisht, Lidhja Demokratike e Kosovës për këtë e ka bërë me dije edhe vetë presidentin në letrën përmes së cilës ka dërguar emrat e të nominuarve të saj. Lidhja Demokratike e Kosovës është e vendosur që të mos lejojë në asnjë mënyrë cenimin e përfaqësimit të saj, në përputhje me rezultatet e zgjedhjeve, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, prandaj edhe do të kërkojë të drejtën e saj, qoftë edhe duke e ngritur këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës./FaktePlus