Dumoshi ndan Çmimin për Vepër Jetësore ish-vjehrrit të saj
Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi i ndau Çmimin për Vepër Jetësore regjisorit Ekrem Kryeziu, njëkohësisht edhe ish-vjehrrit të saj.
Këtë e ka bërë të ditur Ministrja Dumoshi në një postim në rrjetin e saj Facebook në të cilën ka theksuar se kinematografia në Kosovë po kalon në periudhën e saj të artë, falë talentit dhe një përkushtimi të jashtëzakonshëm të këtij komuniteti.
“Në cilësinë e Ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit pata nderin të ndaj sot çmimet vjetore për kinematografi “Bekim Fehmiu”, për vitin 2019.
Juria e përbërë nga anëtarët Arbresha Grabovci Nixha, Burbuqe Berisha, Blerta Basholli, Agron Vula dhe Kimete Berisha kanë marrë vendim që Çmimi për Vepër Jetësore t’i ndahet regjisorit Ekrem Kryeziu ndërsa Çmimi vjetor për Kinematografi t’i ndahet filmit “Në mes” nga regjisori Samir Karahoda.
Përgëzoj regjisorin Kryeziu për çmimin që i ndahet si vlerësim për kontributin e tij të çmuar shumëvjeçar duke qenë ndër nismëtarët që trasoi rrugën për filmbërësit e rinj dhe regjisorin Karahoda i cili solli një film që tejkaloi kufijtë e Kosovës e që ka për epiqendër temën e ndjeshme të migrimit.
Kinematografia në Kosovë po kalon në periudhën e saj të artë, falë talentit dhe një përkushtimi të jashtëzakonshëm të këtij komuniteti, talent i cili çdo ditë e më tepër po vlerësohet në Evropë e botë.”, ka shkruar Dumoshi./FaktePlus/