Dukuria e vrasjeve, ekspertët e fajësojnë sistemin e drejtësisë
Dukuria e vrasjeve në Kosovë vazhdimisht është në rritje. Rasti i fundit është shënuar gjatë ditës së djeshme mes dy familjeve, asaj Rafuna dhe Mehmeti në Prishtinë, nga i cili rast kanë mbetur të vdekur dy persona, ndërsa dy të tjerë janë duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe janë në gjendje të rëndë.
Ndërsa, është bërë e ditur se përleshja fizike dhe mandej gjuajtja me armë në mes dy familjeve ka ndodhur për shkak të një kontesti pronësor, ekspertët e sigurisë fajin për këtë dukuri, e cila është në rritje dita-ditës ia hedhin komplet sistemit të drejtësisë, shkruan FaktePlus.
Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gëzim Shala thotë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se përkundër rritjes së numrit të vrasjeve, institucionet e drejtësisë nuk kanë rritur angazhimin e tyre për parandalimin e kësaj dukurie.
“Sa i përket veprave penale të vrasjes, publiku është dëshmitar se kjo dukuri vazhdimisht është në rritje. Përballë kësaj dukurie në rritje, institucionet e sistemit të drejtësisë nuk rrisin angazhimin e tyre për t’i dhënë përgjigje kësaj dukurie. Në këtë drejtim, IKD vlerëson se institucionet e sigurisë dhe drejtësisë duhet që urgjentisht të dalin me një strategji konkrete për t’i dhënë përgjigje institucionale kësaj dukurie në rritje”, ka thënë Shala.
Duke iu referuar rastit të djeshëm në Prishtinë,si dhe rasteve tjera të ngjashme, Shala vlerëson se policia dhe prokuroria e shtetit kanë dështuar që të luajnë rolin e tyre parandalues ndaj kriminalitetit.
“Si në këtë rast, por edhe në vetë dukurinë në rritje, Policia e Kosovës dhe Prokurori i Shtetit kanë dështuar që të luajnë rolin e tyre parandalues ndaj kriminalitetit. Nga ajo që IKD ka parë është se këto dy institucione zakonisht aktivizohet për ndjekje represive, se sa preventive”, ka deklaruar Shala.
Kurse, i pyetur rreth asaj se shumica e vrasjeve që po ndodhin në vend kanë të bëjnë me konteste pronësore, Shala pohon se fajtor në këtë janë gjykatat.
“Sa i përket konflikteve pronësore, IKD tash e disa vite ka tërhequr vërejtjet se Gjykatat kanë dështuar në trajtimin e rasteve brenda një afati të arsyeshëm kohor. Në këtë drejtim, përderisa sistemi gjyqësor nuk arrin që të vendos drejtësi për palët, atëherë shfaqet edhe vetëgjyqësia. Për më tepër, rastet kur për shkak të zvarritjeve të kontesteve gjyqësore kanë përfunduar me vepra të rënda penale nuk janë të izoluara. Andaj, për situatën tanimë të krijuar, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) duhet që fillimisht të trajtojë rastin konkret nëse ka dikush përgjegjësi disiplinore apo penale në raport me këtë rast, e pastaj ta trajtojë urgjentisht edhe këtë dukuri, në mënyrë që e njëjta të parandalohet”, ka thënë ai.
I të njëjtit mendim është edhe eksperti i çështjeve të sigurisë, Avni Islami.
Islami, thotë për FaktePlus se sistemi i drejtësisë në Kosovë ka degraduar, duke shtuar se rasti i djeshëm në Prishtinë ku mbetën të vdekur dy persona, tregon se e brishtë është drejtësia në Kosovë.
“Rasti i djeshëm i vrasjes dhe plagosjes mes dy familjeve për konteste pronësore qet në pah se sa e brishtë është drejtësia, pra sistemi i drejtësisë në Kosovë. Me vetë faktin se njerëzit e marrin drejtësinë dhe gjyqësinë në duart e veta tregon se në çfarë shkalle ka degraduar drejtësia. Kjo për shkak se për çështjet në fjalë është dashur që vetë gjykatat t’i zgjidhin përmes rrugëve institucionale”, ka thënë ai, duke shtuar se në shumicën e këtyre rasteve tragjike fajtor kryesor është sistemi i drejtësisë.
Për ngjarjen tragjike që ka ndodhur dje në Prishtinë, gjatë ditës ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj).
Sipas KMDLNj-së është koha e fundit që Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet të vihet në lëvizje, duke e shtuar efikasitetin dhe duke e shpejtuar dinamikën e gjykimit të rasteve të kontesteve pronësore në mënyrë që të evitohen rastet potenciale të dhunës në të ardhmen./FaktePlus