Artistja e njohur shqiptare, Dua Lipa, ka reaguar e tmerruar të martën për ngjarjen tragjike që ndodhi në Bejrut të Libanit.

Ajo publikoi në rrjetet sociale disa imazhe nga shpërthimi, ku shkruante se kishte ngelur zemërthyer nga kjo ngjarje, ndërsa u bënte thirrje të gjithëve për ndihmë.

E njëjta gjithashtu duket të jetë e revoltuar me Presidentin në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Kjo pasi ajo shpërndau në InstaStory një postim, ku citoheshin disa nga deklaratat më qesharake dhe jo-serioze të presidentit gjatë këtyre viteve.

Në përshkrimin e fotografisë, Lipa e bëri të qartë se nuk dëshiron më që Donald Trump të zgjidhet president dhe këtë ua kërkoi edhe fansave të saj, veçanërisht atyre amerikanë të cilët pritet të votojnë në muajt në vazhdim për zgjedhjet që do të mbahen në ShBA.

Foto: Dua Lipa/InstaStory

“Ky njeri është një shaka, por çfarë ka të re? Votojeni atë të largohet”, shkroi 24-vjeçarja në InstaStory.

Dua përndryshe jo pak herë është përfshirë në politikë, pasi edhe vitin e kaluar ajo kishte dalë hapur kundër partisë së kryeministrit aktual britanik, Boris Johnson, në zgjedhjet që u mbajtën vitin e kaluar në Mbretërinë e Bashkuar.