Drita sigurt drejt titullit, mposht Feronikelin në Gjilan
Drita ka triumfuar ndaj Feronikelit me rezultat 2-1, në një ndeshje të dominuar nga gjilanasit.
Skuadra bardh e kaltër golin e parë në ndeshje e gjeti në minutën e 35-të kur shënoi një super gol mesfushori Erjon Vucaj nga distanca.
Me epërsinë minimale të Dritës 1-0 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.
Kampioni në fuqi i Kosovës e nisi më mirë pjesën e dytë duke barazuar në minutën e 55-të rezultatin në 1-1.
Besmir Bojku shfrytëzoi një pakujdesi në mbrojtjen e vendasve për të barazuar rezultatin në 1-1.
Drita u vërsul në sulm dhe kërkonte golin e epërsisë, teksa fituan një penallti shumë të dyshimtë nga gjyqtari i ndeshjes Selim Isufi.
Ilir Blakçorri u pengua nga Simon Loshi, por ndërhyrja ishte jashtë vijës së 16 metërshit.
Megjithatë penalltinë e fituar në gol e shndërroi qendërmbrojtësi Fidan Gerbehshi për 2-1.
Gjilanasit edhe pas golit të epërsisë dominuan kampionin në fuqi, duke goditur edhe dy shtylla me Haxhimusën e Ajzeran, por deri në fund më nuk pati gola dhe Drita mori fitoren e tetë radhazi.
Drita vazhdon të mbetet në krye të tabelës, teksa tani ka 64 pikë pesë më shumë se përcjellësi i parë që është Ballkani.
Në anën tjetër Feronikeli vazhdon të mbetet sigurt në pozitën e pestë në tabelë me 44 pikë të grumbulluara.
Në ndeshjen e ardhshme lideri i Superligës, Drita luan derbin e javës në kryeqytet ndaj Prishtinës, ndërsa Feronikeli pret Ballkanin.